Kompensimi për arsimin e fëmijëve nis nga marsi: Si do të funksionojë skema
Duke filluar nga muaji mars 2026, të gjitha familjet me fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë një formë kompensimi. Këtë vit, për herë të parë, njëri prej prindërve do të mund të zbërtëhet nga të ardhurat vjetore bruto të vitit 2025, shpenzime prej 48,000 lekësh për përkujdesin e fëmijëve dhe 100,000 lekësh për arsimin, kur të plotësojë Deklaratën e të Ardhurave Personale në mars.
Kompensimi do të përftohet nëpërmjet rillogaritjes së tatimit të paguar në vitin 2025. Vlera e kompensimit nuk do të jetë fikse, por do të përcaktohet nga diferenca e tatimit. Shifrat prej 48,000 lekësh dhe 100,000 lekësh, të parashikuara në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, përfaqësojnë shpenzimet që do t’u zbriten të ardhurave vjetore bruto të vitit 2025.
Zbritja prej 48,000 lekësh në vit për përkujdesin e fëmijëve do të llogaritet për çdo fëmijë nën 18 vjeç, pavarësisht nivelit të të ardhurave të prindërve gjatë vitit 2025. Ndërsa shpenzimi prej 100,000 lekësh në vit për arsimin do t’u zbaritet individëve me të ardhura deri në 1.2 milionë lekë në vit.
Në rastin e çifteve bashkëshortore, e drejta për zbritjen e shpenzimeve për fëmijët dhe arsimin, nëse plotësohet kufiri i të ardhurave, i takon anëtarit me të ardhura më të larta vjetore. Pra, zbritja e shpenzimeve nuk mund të ndahet mes dy prindërve, por përfiton vetëm ai me të ardhura më të larta të deklaruara.
Tatimi mbi të ardhurat nga paga është paguar çdo muaj gjatë vitit 2025. Megjithatë, zbritja e shpenzimeve do të bëhet në mars 2026, pas plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA). Pas zbritjes së këtyre shpenzimeve, baza e tatueshme (totali i të ardhurave bruto) do të ulet, duke sjellë si rrjedhojë një tatim të rillogaritur më të ulët.
Diferenca midis tatimit të paguar gjatë vitit 2025 dhe tatimit të rillogaritur pas zbritjeve do të jetë kompensimi që do të përfitojnë individët. Sipas një shembulli të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), një individ me të ardhura mujore 70,000 lekë (840,000 lekë në vit) dhe dy fëmijë nën 18 vjeç, i cili nuk kalon kufirin e 1.2 milionë lekëve, do të përfitojë zbritje për shpenzime prej 48,000 lekësh për çdo fëmijë dhe 100,000 lekësh për arsimin.
Nëse tatimi i paguar gjatë vitit 2025 rezulton më i lartë se tatimi i llogaritur pas zbritjeve në DIVA (që plotësohet deri më 31 Mars 2026), individi ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e diferencës brenda 3 muajve pas plotësimit të deklaratës.
Për të përfituar këto zbritje, duhet ruajtur dokumentacioni përkatës, siç janë certifikata familjare për fëmijët në ngarkim dhe kontratat me institucionet arsimore, duke përfshirë pagesat për gjuhët e huaja.
Si do të përfitohet kompensimi:
- Nëpërmjet rillogaritjes së tatimit të paguar për vitin 2025.
- Individët duhet të plotësojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave (DIVA) deri më 31 Mars 2026.
Vlerat e zbritjes:
- 48,000 lekë për fëmijë në vit: Përfiton secili fëmijë, pavarësisht nivelit të të ardhurave të prindërve.
- 100,000 lekë për fëmijë në vit: Përfiton vetëm nëse të ardhurat e individit nuk kalojnë 1.2 milionë lekë në vit.
Rregulla për çiftet bashkëshortore:
- Zbritja e shpenzimeve për fëmijët i takon prindit me të ardhura më të larta. Nuk mund të ndahet mes bashkëshortëve, përveçse në rast të ardhurash të barabarta.
Procesi:
- Gjatë vitit 2025, tatimi mbi të ardhurat është paguar çdo muaj nga paga.
- Në Mars 2026, tatimi rillogaritet duke përfshirë zbritjet për fëmijët.
- Nëse tatimi i rillogaritur është më i ulët se tatimi i paguar gjatë vitit 2025, diferenca kthehet si kompensim/rimbursim.
Shembull:
- Individi X ka 2 fëmijë nën 18 vjeç dhe të ardhura vjetore 840,000 lekë.
- Tatimi i paguar gjatë vitit 2025: 62,400 lekë (5,200 lekë/muaj).
- Zbritje për fëmijë: 48,000 lekë/fëmijë x 2 = 96,000 lekë.
- Zbritje për arsim: 100,000 lekë.
- Pas zbritjeve, tatimi i ri llogaritet në 29,120 lekë.
- Diferenca që individi mund të marrë si kompensim: 62,400 – 29,120 = 33,280 lekë.
- Kjo shumë mund të kërkohet brenda 3 muajve nga plotësimi i DIVA-s.
