“`html
Presidenti dekreton ligjet për Paqen Fiskale dhe fshirjen e detyrimeve; Nis zbatimi
Presidenti i Republikës ka dekretuar ligjet e paketës fiskale, duke përfshirë ligjet “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë”, si dhe ndryshimet në TVSH-në për rimbursimin 10% për fermerët.
Dekretimi dhe më pas botimi në Fletoren Zyrtare i këtyre ligjeve hap rrugën për zbatimin e tyre nga administrata tatimore. Megjithatë, zbatimi i plotë do të nisë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe miratimit të akteve nënligjore përkatëse.
Deri më tani, nga shtatë ligjet e paketës fiskale, vetëm ligji për “Rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme” është botuar në Fletoren Zyrtare.
Ligjet për Marrëveshjen e Paqes Fiskale dhe “Për fshirjen e detyrimeve të papaguara në tatime dhe dogana” kanë nxitur pritshmëri të larta nga bizneset, pavarësisht rezervave të shprehura nga institucionet ndërkombëtare. Shumë biznese po kërkojnë të nënshkruajnë marrëveshjen e Paqes Fiskale, por kërkesat e tyre po refuzohen nga inspektorët tatimore për shkak të mungesës së akteve nënligjore për zbatimin e tyre.
Administrata Tatimore ka sqaruar se zbatimi i këtyre ligjeve do të nisë pasi ato të dekretohen nga Presidenti, të botohen në Fletoren Zyrtare dhe të miratohen aktet nënligjore përkatëse, të cilat përcaktojnë procedurat e zbatimit.
Edhe Ministria e Financave ka bërë të ditur se ligjet hyjnë në fuqi pas dekretimit dhe botimit në Fletoren Zyrtare. Udhëzimi për zbatimin e ligjit për fshirjen e detyrimeve të papaguara në tatime dhe dogana duhet të miratohet brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa udhëzimi për Marrëveshjen e Paqes Fiskale duhet të miratohet brenda 3 muajve.
Ligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”
- Hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet deri në vitin tatimor 2028.
- Efektet zgjasin deri në vitin 2028, pasi marrëveshja do të zbatohet për një vit tatimor, me mundësi rinovimi për dy vite tatimore shtesë.
- Procedurat për hartimin dhe përmbajtjen e propozimit të marrëveshjes, komunikimin me tatimpaguesin, konfirmimin elektronik, regjistrimin, ruajtjen në regjistrin elektronik tatimor, si dhe trajtimin e rasteve të refuzimit, mospranimit apo pavlefshmërisë, do të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
- Procedurat për përfundimin e vlefshmërisë së Marrëveshjes së Paqes Fiskale do të zbatohen sipas udhëzimit të ministrit përgjegjës për financat.
- Marrëveshja e Paqes Fiskale përfundon në rastet kur:
- tatimpaguesi ndryshon llojin e veprimtarisë së deklaruar;
- nuk realizon rritjen mbi 18% të fitimit të tatueshëm;
- pezullon ose ndërpret përfundimisht aktivitetin ekonomik;
- kryen shkelje të përsëritura të detyrimeve tatimore që cenojnë ndershmërinë fiskale;
- nuk paguan detyrimet sipas marrëveshjes;
- nuk përmbush kushtet e parashikuara në nenin 6 të ligjit;
- realizon rritje të fitimit të tatueshëm mbi 50% gjatë vitit tatimor përkatës, krahasuar me vitin paraardhës.
Procedura e aplikimit për Marrëveshjen e Paqes Fiskale
Marrëveshja e Paqes Fiskale mes biznesit dhe administratës tatimore kryhet nëpërmjet aplikimit nga tatimpaguesi në platformën elektronike “e-filing”, brenda afatit për dorëzimin e deklaratës vjetore të të ardhurave të vitit paraardhës. Për vitin e parë të zbatimit, afati përcaktohet me udhëzim të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Propozimi i marrëveshjes hartohet nga administrata tatimore dhe i komunikohet tatimpaguesit nëpërmjet platformës “e-filing”, duke përfshirë vlerën e fitimit të tatueshëm dhe normat e detyrimit tatimor për periudhën përkatëse. Tatimpaguesi ka të drejtë ta pranojë ose refuzojë propozimin deri më 15 prill. Me pranimin dhe nënshkrimin elektronik, marrëveshja konsiderohet e lidhur dhe ka efekt ligjor për vitin tatimor përkatës.
Tatimpaguesi ka detyrimin të deklarojë dhe të paguajë detyrimin tatimor sipas marrëveshjes, ndërsa mosrespektimi i saj trajtohet si shkelje tatimore.
Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore
Ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi, ministri përgjegjës për financat nxjerr udhëzimin për zbatimin e ligjit.
Ky ligj i shtrin efektet nga 1 janar 2026 deri më 31 dhjetor 2026.
Ndryshimet në TVSH për fermerët
Ligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Zbatimi i këtij ligji do të sjellë kompensimin 10% të TVSH-së për fermerët për shitjet e mallrave bujqësore që ata do të bëjnë pranë grumbulluesve, përpunuesve apo agrobizneseve të certifikuara. Kompensimi do të bëhet nëpërmjet autofaturave të lëshuara nga blerësit e mallrave bujqësore.
Ligjet e dekretuara:
- Shpalljen e ligjit nr. 86/2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”.
- Shpalljen e ligjit nr. 83/2025, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar”.
- Shpalljen e ligjit nr. 82/2025, “Për disa shtesa dhe ndryshim në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar”.
- Shpalljen e ligjit nr. 79/2025, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.
- Shpalljen e ligjit nr. 80/2025, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.
“`
