Bozdo: Modeli ‘Durana Tech’, një sajesë e qeverisë për të vjedhur
Deputeti demokrat Eno Bozdo, i cili mban dhe postin e nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë, deklaroi gjatë një konference për shtyp se i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të publikojë emrat e kompanive të regjistruara në “Durana Tech Park”. Bozdo e cilësoi këtë si një skandal të ri qeveritar dhe një aferë korruptive.
Deklarata e plotë e Eno Bozdos:
“Me cilësinë time si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, i jam drejtuar zyrtarisht Ministres së Ekonomisë dhe Ministrit të Financave për të marrë informacion të plotë mbi çështjen shqetësuese të Parkut Virtual Teknologjik ‘Durana’.
Letra kërkon informacion mbi këto pika:
- Emrat e kompanive të regjistruara në këtë park, pronarët e tyre dhe adresat reale.
- Përfitimet financiare që këto kompani kanë marrë nga përjashtimet fiskale që ofron parku.
- Arsyet e përzgjedhjes së këtij modeli nga qeveria shqiptare dhe përputhshmëria e tij me legjislacionin e BE-së, veçanërisht me rregullat e Ndihmës Shtetërore.
Këto informacione do të ndihmojnë për të sqaruar plotësisht një çështje mjaft delikate, e cila po paraqitet para opinionit publik si një nga rastet më të mëdha të evazionit fiskal, me konceptimin dhe bashkëpunimin e plotë të qeverisë shqiptare. Në thelb, jemi përballë një situate ku qeveria ka krijuar vetë një skemë evazioni fiskal, zgjedh kompanitë e saj të preferuara dhe më pas e implementon vetë këtë skemë. Praktikisht, qeveria vjedh paratë publike dhe ua transferon kompanive të përzgjedhura.
Gjatë kësaj jave, përfaqësues të qeverisë kanë argumentuar se ky është një model që praktikohet edhe në vendet e BE-së. Megjithatë, pretendimet e qeverisë se Bashkimi Evropian ofron modele të tilla janë tërësisht të pabaza dhe të rreme. E vërteta është kjo:
- Nuk ekziston asnjë model ‘Park Virtual’ me përjashtime tatimore në asnjë vend anëtar të BE-së.
- Në parqet fizike, e vetmja gjë që mund të krahasohet me një ‘përjashtim’ është sistemi estonez, ku norma 0% e taksës aplikohet vetëm mbi fitimin që ri-investohet brenda kompanisë, duke paguar taksë të plotë kur shpërndahet si divident.
- Më e rëndësishmja, modeli ‘Durana’ i qeverisë përputhet pikërisht me praktikat që Bashkimi Evropian ka luftuar prej vitesh. BE-ja ka një standard tatimor ndërkombëtar, të njohur si Qasja Nexus (Nexus Approach of Base Erosion and Profit Shifting – BEPS), krijuar nga OECD për të parandaluar përdorimin e lehtësirave tatimore për mashtrime. Ky standard kërkon që çdo lehtësim tatimor për inovacionin të jetë drejtpërdrejt proporcional me shpenzimet reale dhe të verifikueshme të Kërkimit dhe Zhvillimit (R&D) të kryera në atë vend. Ai shpërblen aktivitetin ekonomik real.
Ndryshe nga kjo, modeli ‘Durana’ ofron përjashtime 100% nga taksat bazuar në regjistrim, duke shkëputur lehtësimin tatimor nga lidhja fizike me punën. Ai shpërblen regjistrimin virtual. BE-ja ofron ulje të normës tatimore për fitimet nga inovacioni, jo një përjashtim të plotë 100% pa mbikëqyrje. Duke dhënë përjashtime të plota pa dëshmi të aktivitetit fizik, modeli ‘Durana’ shkel frymën dhe shkronjën e drejtësisë tatimore të vendosur nga partnerët tanë evropianë.
Afera ‘Durana’ sjell në pah edhe një çështje tjetër shumë delikate: minimin e konkurrencës së ndershme dhe mbështetjen e pabarabartë të bizneseve. ‘Durana’ krijon një fushë loje tërësisht të pabarabartë që dënon bizneset e ndershme shqiptare. Çdo kompani tjetër e ndershme në sektorin e IT-së, që paguan punonjësit, investon në zyrat e saj dhe respekton ngarkesën e plotë tatimore, tani është në një disavantazh konkurrues masiv dhe të paqëndrueshëm kundrejt kompanive të regjistruara në këtë ‘Park Virtual’.
Stimuli fiskal nuk është për inovacionin e vërtetë, por për shmangie tatimore. Ai ridrejton kapitalin nga Kërkimi dhe Zhvillimi i vërtetë drejt regjistrimeve fantazmë, duke mbytur potencialin për rritje të ndershme dhe të qëndrueshme në sektorin e teknologjisë të vendit tonë.
Modeli ‘Durana’, i sajuar nga qeveria shqiptare për të vjedhur paratë e shqiptarëve në emër të skemave financiare gjoja “të certifikuara nga BE”, shënon një rekord të ri të kapjes së shtetit. Tashmë jo vetëm grupet e interesit që deformojnë vendimmarrjen qeveritare për interesa të tyre, por vetë qeveria deformon qëllimisht vendimmarrjen e saj për të mbushur xhepin e një grupi kompanish që janë klientë të saj!”
