Hapja e garës për Zëvendësdrejtorin e BKH

Hapet gara për zv.drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit

Pas emërimit të Joni Ketës në krye të BKH-së, pozicioni i zëvendësdrejtorit ka mbetur vakant. Të drejtën për të garuar për këtë post e kanë vetëm hetuesit e BKH-së.

Kandidatët duhet të dorëzojnë:

  • Kërkesë për aplikim
  • Një platformë mbi kuptimin e funksionit të Zëvendësdrejtorit, rolit në fushën e menaxhimit, menaxhimit të burimeve njerëzore, komunikimit, punës në grup, ndërveprimit dhe marrëdhënieve ndërinstitucionale.
  • Jetëshkrim
  • Vlerësimin e fundit nga eprori direkt.
  • Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
  • Certifikatë mbi njohuritë e gjuhës angleze.

Dokumentet duhet të dorëzohen fizikisht në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, deri në datën 22 janar 2026.

Njoftimi i plotë:

Shpallje për pozicionin e zëvëndësdrejtorit, në Byronë Kombëtare të Hetimit

Në zbatim të neneve 31 dhe 36 të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar, Byroja Kombëtare e Hetimit shpall procedurat për përzgjedhjen e pozicionit: Zëvendësdrejtor, në Byronë Kombëtare të Hetimit – Kategoria 80% e G 3. Ky pozicion u ofrohet Hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Afati për dorëzimin e dokumenteve: Deri në datën 22.01.2026

Përshkrimi i punës për pozicionin:

  • Zëvendësdrejtori është përgjegjës për funksionimin e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
  • Zëvendësdrejtori është përgjegjës për funksionimin e vazhdueshëm të Byrosë Kombëtare të Hetimit gjatë çdo mungese të Drejtorit të BKH-së.
  • Zëvendësdrejtori është hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
  • Zëvendësdrejtori raporton te Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
  • Zëvendësdrejtori ka për detyrë menaxhimin, organizimin, menaxhimin e burimeve njerëzore, hartimin e politikave të punës për Shërbimet e Policisë Gjyqësore, të përbëra nga oficerë të Policisë Gjyqësore, nga Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse, të cilat i ka nën drejtimin administrativ.
  • Asiston Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit për çështjet që kanë lidhje me funksionimin e BKH-së.
  • Organizon, drejton e kontrollon veprimtarinë e punonjësve sipas fushës së përgjegjësisë, duke u udhëhequr nga fryma e bashkëpunimit, mirëbesimit dhe respektit reciprok.
  • Planifikon dhe koordinon punën për hartimin e procedurave të nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive.
  • Kryen studime dhe analiza të ndryshme me qëllim përmirësimin e akteve normative që normojnë punën e shërbimeve të Policisë Gjyqësore, në BKH.
  • Planifikon kontrolle për personelin sipas fushës së përgjegjësisë.
  • Planifikon nevojat për aftësimin profesional të personelit sipas fushës së përgjegjësisë.
  • Përcakton kërkesat për bazën materialo-teknike për krijimin e kushteve për realizimin e detyrave dhe objektivave.
  • Kur konstaton ose merr informacion për shkeljet e kryera nga varësit, fillon procedurat për ecurinë disiplinore, sipas rregullores së disiplinës, si dhe merr masa për pengimin e ardhjes së pasojave nga këto shkelje.
  • Kryeson grupe pune, ose merr pjesë në grupe pune, në rastet kur caktohet nga Drejtori dhe monitoron e raporton në kohë për realizimin e detyrave dhe objektivave të planifikuara.
  • Konsultohet dhe ndihmon varësit për realizimin e detyrave të tyre.
  • Vlerëson në mënyrë periodike performancën e punonjësve në varësi, apo sa herë që kërkohet për çështje të ndryshme të punës e karrierës së tyre.
  • Harton informacione e ndjek korrespondencat për çështje që lidhen me veprimtarinë e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore.
  • Harton Memo informuese për Drejtorin e BKH-së lidhur me problemet që lindin gjatë procesit të punës.

1.1 Kriteret për pozicionin:

  • Të jenë hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit.
  • Të mos kenë masë disiplinore në fuqi.
  • Të kenë të paktën vlerësimin e fundit “mirë” ose “shumë mirë” (të vërtetuar me formularin e vlerësimit individual të punës).
  • Të kenë të paktën 3 vjet eksperiencë pune në hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda, si dhe të kenë treguar aftësi drejtuese.
  • Të kenë integritet të lartë.
  • Të kenë njohuri në fushën e menaxhimit dhe planifikimit organizativ, menaxhimit të burimeve njerëzore, etj.
  • Të kenë aftësi shumë të mira në komunikim, punën në grup, ndërveprim dhe në marrëdhëniet ndërinstitucionale.
  • Të kenë njohuri shumë të mira në të folur dhe të shkruar të gjuhës angleze (element që do të merret në konsideratë gjatë procesit të vlerësimit).

1.2 Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:

Kandidatët që do aplikojnë për Zëvendësdrejtor në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

  • Kërkesë për aplikim.
  • Një platformë mbi kuptimin e funksionit të Zëvendësdrejtorit, rolit në fushën e menaxhimit, menaxhimit të burimeve njerëzore, komunikimit, punës në grup, ndërveprimit dhe marrëdhënieve ndërinstitucionale.
  • Jetëshkrimi.
  • Vlerësimin e fundit nga eprori direkt.
  • Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj.
  • Certifikatë mbi njohuritë e gjuhës angleze.

Dokumentet duhet të dorëzohen fizikisht në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, deri në datën 22.01.2026.

1.3 Mënyra e vlerësimit të kandidatëve:

  • Përzgjedhja do të bëhet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
  • Për secilin kandidat krijohet dosje e cila përmban të gjitha dokumentet e prezantuara nga kandidati. Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit janë përgjegjës për formimin dhe mbajtjen e dosjes, duke siguruar kompletimin dhe përditësimin e saj deri në momentin e përmbylljes përfundimtare të procesit të përzgjedhjes së zëvendësdrejtorit.
  • Vlerësimi i përzgjedhjes së kandidatit për Zëvendësdrejtor bëhet përmes verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar nga kandidati, plotësimit të kritereve, të dhënave nga Prokurorët e Posaçëm (vlerësimi i punës dhe performancës) dhe eprorët e drejtpërdrejtë, si dhe sigurimit të të dhënave për masat eventuale disiplinore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

1.4 Rezultatet pas verifikimit:

Kandidati që plotëson kriteret dhe përzgjidhet do të njoftohet zyrtarisht nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit në BKH. Kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret do të njoftohen individualisht nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore, në BKH, nëpërmjet adresës së e-mail.

Scroll to Top