Bujqësia në Shqipëri përballet me humbje 17 miliardë USD nga klima

Sektori i bujqësisë do të përballet me humbje prej 17 miliardë USD

Sektori i bujqësisë dhe ekonomia e vendit pritet të përballen me humbje që mund të arrijnë deri në 17 miliardë dollarë deri në vitin 2050, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Këto janë rezultatet e skenarëve të zhvilluar nga Programi i Kombeve të Bashkuara (PNUD) në kuadër të Planit Kombëtar të Adoptimit ndaj Klimës.

Sipas projeksioneve kombëtare, klima në Shqipëri pritet të ndryshojë ndjeshëm deri në vitin 2050, duke u karakterizuar nga rritja e temperaturave, ulja e reshjeve dhe shtimi i ngjarjeve ekstreme.

  • Temperaturat mesatare vjetore pritet të rriten me rreth 2 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale me 2.8 gradë Celsius.
  • Reshjet vjetore pritet të ulen me 5.8%.
  • Niveli i detit do të rritet me 28 cm.
  • Numri i ditëve me reshje ekstreme do të arrijë 16.
  • Vendi do të përballet me katër valë të nxehtësisë dhe 16 ditë shumë të ftohta në vit.

Këto ndryshime pritet të ndikojnë rëndë në sektorin e bujqësisë dhe pyjeve, të cilët përbëjnë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.

Bujqësia, që përfshin edhe blegtorinë, punëson rreth një të tretën e fuqisë punëtore dhe kontribuon me 15% të PBB-së. Pyjet mbulojnë 39% të territorit, por kanë humbur 334 mijë hektarë që nga viti 1938 për shkak të prerjeve të paligjshme, zjarreve dhe menaxhimit të dobët.

Për të përballuar këto sfida, vetëm për sektorin bujqësor nevojitet zbatimi i 66 masave, me një kosto të përgjithshme prej 9.8 miliardë dollarë. Këto masa synojnë:

  • Rregullimin e sistemeve të ujitjes dhe përmirësimin e menaxhimit të ujit për bujqësinë.
  • Restaurimin e tokave dhe ekosistemeve për parandalimin e përmbytjeve dhe erozionit.
  • Mbrojtjen e fermerëve përmes sigurimeve dhe fondeve të kompensimit.
  • Zbatimin e programeve të pyllëzimit dhe agropylltarisë.
  • Forcimin e sistemeve kundër zjarreve.
  • Promovimin e financimit të qëndrueshëm për pyjet.

Ekspertët paralajmërojnë se pa këto masa, humbjet e mundshme nga ndryshimet klimatike mund të tejkalojnë 17 miliardë dollarë. Ndërhyrjet kanë për qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së ekosistemeve, mbështetjen e rritjes së qëndrueshme dhe përputhjen me objektivat globale për adaptimin ndaj klimës.

Sektori i bujqësisë është kryesisht familjar, ku 85% e fermave kanë mesatarisht vetëm 1.2 hektarë, gjë që kufizon produktivitetin. Bimët janë më të rrezikuara se blegtoria, veçanërisht drithërat dhe perimet. Tek blegtoria, gjedhi dhe kuajt janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike.

Në të njëjtën kohë, pyjet përballen me rritjen e thatësirave, zjarreve dhe përhapjes së insekteve dhe sëmundjeve, çka rrit vulnerabilitetin e ekosistemeve.

Scroll to Top