Elisa Spiropali merr “Urdhrin e Princeshë Ollgës” në Ukrainë
Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, është dekoruar zyrtarisht këtë të enjte me “Urdhrin e Princeshë Ollgës” nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kiev. Ky është një nga dekoratat më të larta të shtetit ukrainas.
“E pranoj këtë nderim me përulësi dhe me ndjenjën e thellë se ai nuk i përket vetëm një personi, por qëndrimit të Shqipërisë dhe të çdo europiani që zgjedh të qëndrojë në anën e lirisë. Ukraina sot nuk po mbron vetëm tokën e saj. Ajo po mbron ndërgjegjen e Europës. Në qytetet e saj të bombarduara, në rezistencën e popullit të saj, po shkruhet nëse kontinenti ynë do të jetojë në paqe dhe të drejtë, apo nën frikë dhe forcë. Ky urdhër mban emrin e Princeshës Olga, një grua që udhëhoqi me dinjitet në kohë të errëta. Ta marr sot këtë dekoratë në mes të një lufte për mbijetesë dhe liri, është një përgjegjësi morale, po aq sa një nder,” u shpreh ministrja Spiropali pas ceremonisë së dekorimit.
Ky dekorim ishte njoftuar nga presidenti Zelensky disa muaj më parë, por ceremonia zyrtare u mbajt sot.
