Shitjet globale të automjeteve elektrike arritën nivel rekord në 2025-ën
Shitjet globale të automjeteve elektrike (EV) arritën në 20.7 milionë njësi vitin e kaluar, duke shënuar një nivel rekord me një rritje prej 20 për qind, sipas të dhënave të kompanisë kërkimore Benchmark me seli në Londër.
Në detaje, shitjet e automjeteve elektrike u shpërndahen si më poshtë:
- Kina: 12.9 milionë njësi, me një rritje prej 17 për qind.
- Evropa: 4.3 milionë njësi, me një rritje prej 33 për qind.
- Amerika e Veriut: 1.8 milionë njësi, me një rënie prej 4 për qind.
- Pjesa tjetër e botës: 1.7 milionë njësi, me një rritje prej 48 për qind.
Në njoftimin për mediat të kompanisë Benchmark, theksohet se totali prej 20.7 milionë automjetesh elektrike të shitura në nivel global përfshin segmentin e makinave të pasagjerëve dhe automjeteve të lehta.
Në Evropë, tregu i automjeteve elektrike pati një rritje prej 33 për qind. Kjo rritje u ndikua nga një përparim prej 31 për qind në shitjet e automjeteve elektrike me bateri (BEV) dhe 38 për qind në shitjet e automjeteve elektrike hibride me prizë (PHEV) gjatë së njëjtës periudhë.
Tregu evropian i automjeteve elektrike u karakterizua nga ndryshime legjislative, pasi objektivat e Bashkimit Evropian për emetimet e gazrave u rishikuan gjatë vitit.
Gjatë vitit 2025, shitjet e automjeteve elektrike u përshpejtuan në disa tregje kryesore. Vendet me vëllim të madh shitjesh si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar shënuan rritje përkatësisht 48 për qind dhe 27 për qind.
“Viti 2025 ishte një vit sfidues për tregun e automjeteve elektrike në Amerikën e Veriut. Në Shtetet e Bashkuara, eliminimi i kredive federale tatimore më 30 shtator 2025, së bashku me uljen në zero të gjobave të standardeve CAFE dhe futja e politikave proteksioniste që synojnë zhvendosjen e prodhimit dhe zinxhirëve të furnizimit të automjeteve në tregun vendas, dobësuan ndjeshëm momentumin e tregut”, theksohet në njoftim.
