Rritje Transferta Euro Shqipëri 2025

Transfertat kombëtare në Euro u rritën për të tretin vit radhazi në 2025

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sistemi kombëtar i pagesave në Euro, AIPS Euro, regjistroi 399 mijë transferta në monedhën europiane gjatë vitit të kaluar. Këto transferta shënuan një rritje prej 22.7% krahasuar me vitin 2024.

Në vlerë, transfertat në euro arritën pothuajse 6.33 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 21.3%. Megjithëse transfertat ndërbankare në Lekë mbeten ende dominuese, sidomos për pagesat me vlerë të vogël, ritmi i rritjes së tyre është më i ulët në krahasim me transfertat në Euro.

Numri i veprimeve në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël në Lekë (AECH) u rrit me 19.3% krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i transaksioneve në sistemin e pagesave me vlerë të madhe në Lekë (AIPS) u rrit lehtë me 0.8%. Në vlerë, volumi i transaksioneve në sistemin AECH u rrit me 54.8%, ndërsa në sistemin AIPS në Lekë, vlera e transaksioneve u rrit me 9.5%.

Rritja e shpejtë e numrit dhe volumit të transfertave në Euro duket të jetë një pasojë e rritjes së prurjeve valutore në ekonomi, si dhe shtimit të transaksioneve të lidhura me turizmin. Ky fenomen tregon gjithashtu një euroizim të lartë të pagesave në ekonominë shqiptare.

Sistemi AIPS Euro filloi funksionimin në janar 2022, me qëllimin kryesor uljen e kostove të transfertave bankare në monedhën europiane. Para krijimit të këtij sistemi, transfertat kombëtare në Euro kryheshin vetëm nëpërmjet llogarive që bankat shqiptare posedonin në banka korrespondente jashtë vendit. Ky proces shkaktonte vonesa dhe kosto më të larta krahasuar me transfertat në Lekë. Komisionet e larta detyronin klientët të zhvendosnin fondet nëpërmjet tërheqjeve dhe depozitave cash.

Sistemi AIPS Euro ka sjellë një ulje të ndjeshme të komisioneve dhe një rritje të përdorimit të kanaleve bankare për transfertat kombëtare në Euro. Ndryshimet e miratuara vitin e kaluar në rregulloren “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, parashikojnë ulje të mëtejshme të komisioneve. Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat në sistemin AIPS Euro është ulur në 4 euro, nga 6 euro më parë. Për transfertat me vlerë deri në 150 mijë euro, totali i komisioneve nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.

Ashtu siç ndodh edhe me transfertat në Lekë, rregullorja për transfertat në Euro inkurajon përdorimin e kanaleve elektronike, duke ofruar komisione të përgjysmuara për këto veprime. Komisioni minimal për transfertat kombëtare në Euro, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro, ndërsa totali i komisioneve për transferta deri në 150 mijë euro nuk mund të tejkalojë 0.01% të vlerës së transferuar.

Burimi: BSH

Scroll to Top