Rama: Dështuam me televizionin publik, duhet mbyllur ose reformuar. Nuk do marrin asnjë lek nga taksat e shqiptarëve pa e merituar.
Publikuar më 16.01.2026
Gjatë fjalës së tij përmbyllëse në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, Kryeministri Edi Rama u shpreh për Televizionin Publik Shqiptar. Ai theksoi se RTSH duhet të shqyrtojë opsione të ndryshme si mbyllja, reformimi, privatizimi apo partneriteti, pasi sipas tij, ai nuk mund të vazhdojë në gjendjen aktuale. Rama paralajmëroi se në të kundërt, do të hiqet taksa dedikuar televizionit publik.
“Jemi munduar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar,” tha Rama. “Nuk e di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm. Që do të thotë nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja në mospërfillje.”
Kryeministri shtoi se personalisht nuk e ka parë televizionin publik që para vitit 1990 dhe se edhe intervistat e tij nuk i ka parë kurrë. Ai tha se drejtuesve të televizionit publik u ka dhënë qartë mesazhin: “mbylleni”.
“Nxirrni në ekran: ‘Televizioni Publik Shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar. I kërkon ndjesë të gjitha familjeve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob. Ju premtojmë se do të kthehemi në ekran kur të jemi gati’,” propozoi Rama.
Ai vuri në dyshim efikasitetin e RTSH duke e krahasuar me televizionet e tjera private, të cilat, sipas tij, arrijnë më shumë sukses me buxhete më të ulëta pasi ato duhet ta krijojnë çdo ditë. Ai përmendi rastin e të drejtës për transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares, ku RTSH kërkon paratë por nuk i paguan.
“Doni lekët tona, shkoni te qeveria. Nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, derisa televizioni publik t’i meritojë taksat e shqiptarëve,” theksoi ai.
Rama përfundoi duke thënë se “çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, përveç kësaj që është. Por unë nuk marr pjesë në këtë.”
