Lapaj kritikon Shabanin & Ramën për zgjedhjet

Lapaj: Nuk do të fusja familjarët në lista nëse do të kthehesha pas, Shabani ishte “kolltukofag”

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, foli për emisionin “Kjo Javë” në News 24 nga sheshi përpara kryeministrisë. Lapaj iu kthye të kaluarës duke folur për aleancën me Endri Shabani në zgjedhjet e 11 majit.

Lapaj e cilësoi Shabanin një “kolltukofag që paska qenë i etur për një karrige” të avokatit të popullit. Sipas tij, skenari i Ramës për të shfrytëzuar Shabanin dhe për t’i dhënë më pas një karrige doli fare në pah.

Lapaj shtoi se familjarë të tij apo të Shabanit u përfshinë në listat e kandidatëve, por kjo u bë me qëllim të mirë për të “djegur” listat e mbyllura. “Kam bërë reflektimet e mia. Shumë gjëra do i bënim ndryshe. Një pjesë kanë ardhur nga eksperienca apo naiviteti i së mirës. Nëse do të ktheheshim pas, nuk do përdorim familjarët për t’i futur në lista. Kundërshtari e hiperbolizoi për keq. Nuk e bëmë vetëm ne, por e bënë dhe të tjerë. Politika reale realizoi pak më ndryshe. Për çdo qytetar që është ndjerë keq, i kërkoj falje. Ka qenë vetëm qëllimi i mirë, qëllim për të djegur listat e mbyllura, për të dhënë modelin e garës në listat e hapura. Nxori lakuriq sistemin e gabuar elektoral. Me 64 mijë vota morëm 1 mandat, PS me 64 mijë vota mori 9 mandate. Nëse do të ktheheshim pas, do e shmangnim.”

“Regjizori i së ligës ka qenë Edi Rama. Jam shumë krenar që koha na dha të drejtë. Nuk u joshëm për të qenë pjesë e qeverisë së Edi Ramës. Për atë që bëri ai u shpërblye dhe shëmtia e zgjedhjes së avokatit të popullit u dëshmua. Ne në zgjedhje morëm gjithsej mbi 80 mijë vota, 64 mijë të vlefshme. Dhe mendoj se në momentin e parë një dëmtim ekzistoi. Por si u zhvilluan ngjarjet dhe pazari për avokatin e popullit, sot qytetarët e ndjejnë që ne qëndruam. Nuk është e lehtë t’i thuash jo kësaj oferte që na bënë. Jemi shumë krenarë që rezistuam edhe me koston e shantazhit, edhe në publik, edhe jashtë publikut. Numri i votave është shtuar dhe do shtohet. Nuk do t’i fusnim familjarët për të djegur listat e mbyllura. Pati një qëllim të mirë, por u shfrytëzua nga qenëria e së ligës. Dhe përdorën një ‘kolltukofag’, një njeri që ka qenë i etur për karrigen e avokatit. Për t’u bërë avokati i popullit, mjafton të mbrosh interesin popullor dhe ja ku u bëre,” – tha Lapaj.

Scroll to Top