Bonus-Malus: Më pak sigurime për drejtuesit e kujdesshëm

Bonus-malus: Ndëshkim financiar për shkaktarët e aksidenteve

Sistemi bonus-malus ka për qëllim të penalizojë drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme, ndërsa të nxisë ata që nuk kanë shkaktuar dëme. Bonusi do të jetë rreth 3% dhe pritet të përfitojnë rreth 96% e drejtuesve. Ndërkohë, malusi për shkaktarët e dëmeve fillon nga 18%.

Siguruesit e cilësojnë këtë si një hap të rëndësishëm, pasi për herë të parë, shkaktarët e dëmeve do të penalizohen në primin e sigurimit. Ky sistem ka filluar të aplikohet nga 1 janari 2026 në sigurimet e detyrueshme motorike.

Sistemi bonus-malus parashikon që drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme do të paguajnë një prim sigurimi më të lartë në vitin pasardhës, ndërsa ata që nuk shkaktojnë dëme, një prim më të ulët.

  • Për drejtuesit që kanë shkaktuar një dëm të vetëm do të aplikohet një koeficient 1.18 mbi primin bazë, duke u penalizuar me një malus në masën 18%.
  • Për ata që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme do të aplikohet një koeficient 1.39, duke u penalizuar me një malus në masën 39%.
  • Drejtuesit e mjeteve që nuk kanë shkaktuar dëme gjatë vitit 2025 do të përfitojnë një bonus prej 3% në çmimin e sigurimit të detyrueshëm TPL.

Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili hyri në fuqi në vitin 2021. Zbatimi i tij u bë i mundur pas miratimit të rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut”, e cila hyri në fuqi në fillim të vitit 2025.

Siguruesit: 96% e shoferëve me sigurim më të ulët në 2026

Siguruesit parashikojnë që zbatimi i sistemit bonus-malus do të ketë një efekt negativ prej 4.5-5 milionë euro mbi primet e shkruara bruto në sigurimin e detyrueshëm motorik. Rreth 4% e drejtuesve të mjeteve, që kanë shkaktuar dëme vitin e kaluar, do të paguajnë një prim sigurimi më të lartë për vitin 2026 (rreth 18% më shumë). Pjesa më e madhe, rreth 96%, do të përfitojnë një bonus ose ulje të çmimit të sigurimit me afërsisht 3%.

Efekti total në vlerën e primeve që do të arkëtojnë kompanitë pritet të jetë negativ. Sipas përllogaritjeve, ky efekt do të jetë rreth 4.5-5 milionë euro. Nga rreth 747 mijë kontrata sigurimi të lidhura për 12 muajt statistikorë (dhjetor 2024 – nëntor 2025), rreth 30 mijë drejtues mjetesh do të paguajnë një prim më të lartë, ndërsa rreth 717 mijë do të paguajnë një prim sigurimi më të ulët.

Sigurimi TPL ngelet kolona kryesore e tregut

Sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL) mbetet produkti dominues në tregun shqiptar të sigurimeve. Për 11 muajt e vitit 2025, primet e sigurimit TPL përbënin 57.6% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës. Volumi i primeve në këtë produkt është në rritje me 18.5% krahasuar me një vit më parë, pjesërisht falë sistemit të ri të llogaritjes së primeve mbi bazën e faktorëve të rrezikut, që ka sjellë një rritje të primit mesatar me afërsisht 7%.

Volumi vjetor i primeve të shkruara bruto pritet të arrijë në afërsisht 145 milionë euro për të gjithë vitin 2025. Nëse përfshijmë edhe Kartonin Jeshil dhe Policën Kufitare, pesha e sigurimeve të detyrueshme motorike arrin në 68.2% të tregut.

Për 11 muajt e vitit 2025, dëmet në sigurimet TPL përbënin 70.4% të dëmeve bruto të paguara nga kompanitë e sigurimit në vend. Për këtë periudhë, kompanitë e sigurimit paguan 4.1 miliardë lekë dëme bruto të lidhura me sigurimin e brendshëm motorik TPL.

Aksidentet, 88% për faj të shoferëve

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për 11 muajt e vitit 2025 u regjistruan zyrtarisht 1245 aksidente rrugore, me një rënie prej 17.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i personave të dëmtuar gjithashtu ka pësuar rënie. Megjithatë, dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit janë në rritje të ndjeshme, duke arritur në 4.1 miliardë lekë për 11 muaj, me një rritje prej 6.2%.

Ekspertiza ka konkluduar se në 88% të aksidenteve të ndodhura, përgjegjësia ka rezultuar e drejtuesit të mjetit. Sistemi bonus-malus synon të ndëshkojë pikërisht këtë kategori.

Për vitin 2024, u raportuan gjithsej 1666 aksidente rrugore, në rritje vjetore me 29.6%, dhe numri i të dëmtuarve arriti në 2255, 30% më shumë. Vlera e dëmeve të paguara në sigurimin TPL arriti në afërsisht 4.3 miliardë lekë, në rritje vjetore me 26%.

Scroll to Top