Trump kërkon 1 miliard dollarë nga shtetet që duan të bëhen pjesë e Bordit të Paqes. Çfarë përfshin propozimi
Një polemikë e re ndërkombëtare është shkaktuar pas një propozimi nga administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Sipas planit të paraqitur në një projekt-statut për një organizatë të re ndërkombëtare, e cila quhet ndryshe edhe Bordi i Paqes, thuhet se vendet që dëshirojnë një vend të përhershëm në të, do të duhet të paguajnë të paktën 1 miliard dollarë kontribute financiare.
Sipas projektit, çdo vend anëtar do të ketë një mandat deri në tre vjet nëse nuk paguan 1 miliard dollarë brenda vitit të parë të funksionimit të Këshillit. Ky mandat trevjeçar mund të rinovohet vetëm me miratimin e presidentit të organizatës – një rol që, sipas neneve të draftit, do ta ketë vetë Trump.
Sipas mediave ndërkombëtare, financimi i këtij institucioni të ri, i cili fillimisht lidhet me paqebërjen dhe rindërtimin në Gaza, mund të zgjerohet në zona të tjera konflikti. Vetë emri dhe përmbajtja e kartës lënë hapësirë për një rol më të gjerë përtej Lindjes së Mesme, shkruajnë mediat e huaja.
Ky veprim ka shkaktuar tashmë reagime të forta. Analistët kritikë theksojnë se propozimi ngjan me një përpjekje për të krijuar një organizatë të re ndërkombëtare, madje konkurruese me OKB-në, me një “biletë” të bazuar në kontributet financiare dhe një rol qendror për SHBA-në.
Pikat kryesore të propozimit:
- Çdo vend që kërkon anëtarësim të përhershëm do të duhet të paguajë të paktën 1 miliard dollarë financim brenda vitit të parë.
- Pa atë kontribut, vendet do të kishin vetëm mandate trevjeçare, të cilat do t’i nënshtroheshin miratimit presidencial.
- Trump pritet të luajë një rol kyç në përbërjen dhe funksionimin e këshillit, duke përfshirë miratimin e vulave dhe rregullave të funksionimit.
Vendet evropiane dhe pjesëmarrës të tjerë potencialë kanë marrë ftesa, por tashmë kanë nisur edhe polemikat mbi përmbajtjen ekonomike dhe politike të propozimit.
