Regjistër kombëtar për donacionet dhe sponsorizimet, rregulla të posaçme për vlera mbi 500 mijë lekë
Për herë të parë, Shqipëria parashikohet të ketë një regjistër elektronik kombëtar për donacionet dhe sponsorizimet. Ky regjistër do të jetë i aksesueshëm nga publiku në çdo kohë në faqen zyrtare në internet të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke ofruar të dhëna për donacionet dhe sponsorizimet e organeve publike.
Kjo është risia kryesore e projektligjit “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili është hedhur për konsultim nga qeveria si pjesë e paketës së ligjeve në fushën e antikorrupsionit. Projektligji përcakton rregullat dhe procedurat për mbështetjen me donacione dhe sponsorizime në realizimin e veprimtarive me interes publik.
Lidhur me lehtësitë tatimore, projektligji parashikon që për subjektet, persona fizikë apo juridikë, që paguajnë tatim mbi fitimin sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, shuma e sponsorizuar u njihet si shpenzim i zbritshëm, jo më pak se 3 për qind të tatimfitimit. Gjithashtu, projektligji synon rregullimin e lehtësisë tatimore të dedikuar për sponsorizuesit që kontribuojnë në fushën e artit, sportit ose kulturës, përmes zbritjes direkte deri në masën 30% nga tatimi mbi fitimin.
Projektligji vendos kufizime për pranimin e sponsorizimeve për disa organe publike, për shkak të natyrës së veprimtarisë së tyre. Organet e sistemit të drejtësisë, Policia e Shtetit, organet që kanë kompetenca kontrolli dhe mbikëqyrëse në fushën e prokurimit publik, pastrimit të parave ose luftës ndaj korrupsionit, nuk mund të pranojnë sponsorizime, nëse nuk u lejohet shprehimisht me ligj të posaçëm.
Lidhur me donacionet e organeve publike, projektligji parashikon rregulla të posaçme për pranimin dhe administrimin e tyre kur vlera financiare është mbi 500 mijë lekë.
Për organizatat jofitimprurëse, organizatat sportive, shoqëritë sportive, subjektet tregtare dhe individët, fshehja e të dhënave në regjistër ose deklarimi i pasaktë i sponsorizuesve përbën kundërvajtje administrative. Kjo veprimtari dënohet me gjobë nga organet tatimore, e cila varion nga 100 mijë lekë deri në 200 mijë lekë. Pranimi i sponsorizimeve të paligjshme nga organizatat jofitimprurëse, organizatat sportive, shoqëritë sportive, subjektet tregtare dhe individët, gjithashtu përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë nga organet tatimore nga 200 mijë lekë deri në 300 mijë lekë.
Projektligji është hartuar në kuadër të detyrimeve që sjell procesi i integrimit evropian, ku Shqipëria ka marrë përsipër angazhimin për ndryshimin e kuadrit ligjor për donacionet dhe sponsorizimet brenda vitit 2027. Shqipëria miratoi ligjin e parë për sponsorizimet në vitin 1994, por ai kishte nocione bazë të kufizuara për llojet e sponsorizimeve, si dhe nuk kishte parashikime për donacionet, transparencën, integritetin dhe masat antikorrupsion. Në këto kushte, u konsiderua i vlefshëm hartimi i një projektligji të ri dhe jo amendimi i pjesshëm i ligjit të vitit 1994, në mënyrë që të adresohen këto boshllëqe.
Sindikatat dhe partitë politike nuk janë subjekt i këtij projektligji. Nga ana tjetër, projektligji nuk krijon mbivendosje me kuadrin ligjor në fuqi për pastrimin e parave, luftën kundër terrorizimit apo parandalimin e konfliktit të interesave, por përforcon masat e integritetit dhe përmban një sërë rregullash që synojnë të rrisin transparencën dhe besimin e qytetarëve tek organet publike.
Në vazhdën e këtyre ndryshimeve ligjore, konsiderohen të domosdoshme ndryshimet për sponsorizimet e kryera në fushën e artit, kulturës dhe sportit.
