Ukraina në terr, disa rajone pa energji elektrike për shkak të sulmeve ruse.
Disa rajone të Ukrainës po përballen me ndërprerje emergjente të energjisë elektrike, si pasojë e situatës së rënduar në sistemin energjetik pas sulmeve ruse.
Kompania shtetërore e transmetimit të energjisë, Ukrenergo, bëri të ditur se operatorët e sektorit energjetik po punojnë intensivisht për të rikthyer sa më shpejt stabilitetin e furnizimit me energji.
Si pasojë e bombardimeve, rreth 23 mijë familje në komunitetin Vilnia, në rrethin e Zaporizhzhyas, mbetën përkohësisht pa energji elektrike. Autoritetet lokale të energjisë, Zaporizhzhiaoblenergo, njoftuan më pas se furnizimi me energji në këtë zonë është rikthyer, ndërsa puna për stabilizimin e plotë të rrjetit vijon edhe në rajone të tjera të prekura.
