Berisha nga jashtë SPAK: Mashtrimi me call-centra nën mbikëqyrjen e policisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur për mediat para ambienteve të SPAK, ka reaguar lidhur me rastin e zbulimit të një call-center që vidhte qytetarë të huaj përmes mashtrimit.
Berisha deklaroi se kjo skemë mashtrimi vepron nën mbikëqyrjen e “narko-policisë” dhe se pronar i këtij biznesi është Amant Josifi. Ai shtoi se skema është e ngjashme me atë të mbledhjes së drogës.
“Olsi Rama, ortaku i Armand Josifit, të cilët ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrime. Ky call-center, sipas hetimeve të bëra me agjentët e vet, vidhte të paktën 30 milionë euro në muaj përmes mashtrimit,” tha Berisha.
Ai theksoi se kjo veprimtari kriminale zhvillohet plotësisht nën mbikëqyrjen e “narko-policisë”. “Njëlloj si dikur për çdo rrënjë kanabisi paguhej tarifa prej 300 euro, kur ata ishin të shëndetshëm. Për çdo kompjuter i paguhen zyrtarëve të policisë tarifa për të mbyllur sytë për mashtrimet.”
Berisha përshkroi se në këto qendra kryhet një mashtrim masiv ndaj qytetarëve, të cilëve u premtohet kthim parash, ndihmë për humbje në bursë, etj. “Kjo është veprimtari e një shteti mafioz.”
Ai shtoi se agjentët e “Le Iene” kanë vepruar për dy vite dhe kanë pasur çdo informacion nga ekipi hetimor, duke përfshirë foto, video dhe dokumente. “Por kur shkuan atje, dhoma u gjet bosh, ishin hequr edhe kompjuterat. Veprimtari kriminale e gjeneralizuar e narko-shtetit,” përfundoi ai.
