Dyshohet se vranë një person në vitin 2018, arrestohen dy vëllezërit
Dibër – Ka përfunduar operacioni policor i koduar “Twins”. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.
Dy vëllezër janë arrestuar pasi dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e një shtetasi të ndodhur në vitin 2018, në qarkun Dibër. Gjatë operacionit, u sekuestruan 3 armë zjarri, municion luftarak, një thikë, maskë dhe sende të tjera.
Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër, bazuar në hetimet e kryera për zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur në vitin 2018, në qarkun Dibër, ka siguruar prova se dy prej shtetasve të dyshuar të përfshirë në vrasje strehoheshin në Gjirokastër.
Bazuar në këtë informacion, strukturat e DVP Dibër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e DVP Gjirokastër, në kuadër të operacionit “Twins”, kanë arrestuar në Gjirokastër shtetasit:
- K. K., 39 vjeç, banues në Gjirokastër.
- K. K., 39 vjeç, banues në Gjirokastër (vëllai i shtetasit të mësipërm).
Gjatë kontrollit të banesave të dy vëllezërve, u gjetën dhe u sekuestruan:
- 3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pushkë).
- 1 armë e ftohtë (thikë).
- 3 krehëra.
- Municion luftarak.
- 1 maskë.
- 3 aparate celularë.
Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të verifikuar nëse janë përdorur për vrasjen e vitit 2018 apo në ngjarje të tjera kriminale.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të DVP Dibër vijojnë hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vrasjeje, si dhe për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar për këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
