Aksident i rëndë në Afrikën e Jugut: Autobus shkollor përplaset me kamion, 13 fëmijë humbin jetën
Të paktën 13 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik me autobus shkollor në provincën Gauteng të Afrikës së Jugut. Mediat ndërkombëtare raportojnë se një kamion është përplasur me një minibus shkollor. Raportet paraprake tregojnë se 11 nxënës kanë vdekur në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë kanë ndërruar jetë më vonë në spital, si pasojë e plagëve të marra.
Automjeti privat, që transportonte nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në jugperëndim të Johanesburgut, është përfshirë në aksident rreth orës 7:00 të mëngjesit. Dëshmitarët okularë kanë deklaruar se minibusi, në të cilin udhëtonin fëmijët, ka tentuar të parakalojë automjetet e tjera të ndaluara, duke përfunduar në përplasje ballë për ballë me kamionin.
