Tregjet Europiane Nën Presion Pas Njoftimit të Trump për Tarifa Doganore; Ari Arrin Çmim Historik
Bursat kryesore europiane kanë filluar javën me një trend negativ, duke vijuar rënien e nisur pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore. Trump deklaroi se, duke filluar nga 1 shkurti, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda, vende që kanë dërguar trupa në ishull, do të përballen me tarifa doganore prej 10%.
Në Evropë, po shqyrtohet mundësia e pezullimit të marrëveshjes së vitit të kaluar me Uashingtonin, marrëveshje e cila ende pret ratifikimin nga Parlamenti Europian. Një luftë e mundshme tregtare me Shtetet e Bashkuara ka shtuar nervozizmin në tregje. Presidenti francez Emmanuel Macron i ka cilësuar kërcënimet e Trump si “të papranueshme” dhe po punon për të koordinuar një përgjigje europiane përmes Instrumentit të Bashkimit Evropian kundër Presioneve.
Këto tensione vijnë në kohën kur në Davos çelet Forumi Ekonomik Botëror, duke shtuar pasigurinë në tregje. Bursa e Parisit u hap me -1,5%, Frankfurti me -1,4%, Madridi me -0,9%, dhe Londra me -0,6%. Sektorët më të goditur janë ai i automobilëve, mallrave të luksit dhe teknologjisë.
Ekspertët theksojnë se investitorët po orientohen drejt aseteve të sigurta, siç janë metalet e çmuara. Ari dhe argjendi kanë arritur nivele rekord pas një rritjeje të fortë javën e kaluar.
Tregjet europiane po përballen me një kombinim sfidash, duke përfshirë tensione diplomatike, pasiguri për marrëveshjet tregtare dhe pritshmëritë për reagime të koordinuara nga Brukseli, të cilat pritet të ndikojnë në zhvillimet e ditëve në vijim.
