Treguesit gjeografikë dhe emërtimet e origjinës: Projektligji për rregullim dhe mbrojtje
Një projektligj i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, i nxjerrë për konsultim, synon të përafrojë kuadrin ligjor shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, duke sjellë përmirësime në aspektin e treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës.
Sipas relacionit shoqërues, projektligji përmban një sërë ndërhyrjesh për të zgjidhur probleme të lidhura me zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e këtyre treguesve.
Ndryshe nga ligji ekzistues (9947), i cili trajtonte në mënyrë të përgjithshme grupin e prodhuesve – subjektin kryesor të kërkesave për regjistrim të treguesve gjeografikë – projektligji i kushton një rëndësi të veçantë dhe trajton në detaje statusin e tyre.
Projektligji përcakton:
- Çfarë është një grup prodhuesish.
- Cilët prodhues mund të bëjnë pjesë në grup.
- Rastin kur një prodhues i vetëm mund të konsiderohet si grup prodhuesish.
Këto çështje, që trajtohen për herë të parë në një projektligj, plotësojnë kuadrin ligjor në këtë fushë.
Gjithashtu, janë bërë përmirësime edhe në procedurën dhe dokumentacionin e kërkuar për regjistrimin e një treguesi gjeografik, duke ofruar një qasje më të qartë dhe të strukturuar për regjistrimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e tij.
Qeveria thekson se, pas regjistrimit, treguesi gjeografik fiton mbrojtje, e cila rregullohet në mënyrë adekuate në projektligj. Kjo mbrojtje garanton të drejtat e mbajtësit të treguesit gjeografik, duke përcaktuar njëkohësisht ndalimet për përdorimin e tij nga persona dhe prodhues të tjerë.
Projektligji i kushton rëndësi masave për mbrojtjen e treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës, si dhe të drejtave të pronarëve të tyre, nga cenimet nga spekulatorët dhe manipulatorët e tregut.
Në këtë drejtim, projektligji parashikon të drejtën e pronarëve të treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës, të cilët, në rast shkeljeje, mund të:
- Hapin padi.
- Paraqesin dhe sigurojnë prova.
- Kërkojnë marrjen e masave të përkohshme për parandalimin e shkeljeve.
- Kërkojnë nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe kontrollin e mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat.
