Goditet organizatë droge në Itali: 8 shqiptarë të arrestuar

Itali: Shkatërrohet organizata e trafikut të drogës, 8 nga 9 të arrestuarit shqiptarë

Një operacion kundër trafikut të drogës u zhvillua në orët e para të mëngjesit të sotëm në Itali, duke rezultuar në arrestimin e 9 personave, ku 8 prej tyre janë shqiptarë dhe një italian.

Hetimet vijojnë nga operacionet e mëparshme “TREXIT 2019” dhe “BLACK MAMBA”, të cilat në vitet 2021 dhe 2022 çuan në arrestimin e 35 personave.

Sipas hetimeve, organizata kishte një kapacitet të lartë logjistik dhe financiar, duke importuar sasi të mëdha kokaine, hashashi dhe marijuane nga Amerika e Jugut, Europa Veriore dhe Spanja. Droga fshihej në kamionë me ngarkesa perimesh.

Gjatë 6 muajve, grupi kriminal dyshohet se ka shpërndarë mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1 ton hashash e marijuanë, duke gjeneruar fitime në vlera milionëshe.

Anëtarët e organizatës komunikonin përmes platformës së koduar “SkyECC”, e cila u dekodua nga autoritetet franceze në fund të vitit 2020, duke mundësuar zbardhjen e aktivitetit kriminal.

Në total, janë 15 persona nën hetim. Gjatë kontrolleve u sekuestruan drogë, para kesh dhe mjete komunikimi.

Autoritetet italiane e cilësojnë këtë operacion si një goditje të fortë ndaj kupolës së organizatës kriminale.

Scroll to Top