QSUT: Reanimacioni mohon ndikim të energjisë në vdekjen e pacientit

Ndërprerja e energjisë në QSUT: Reanimacioni mohon ndikim në vdekjen e pacientit

Zona të ndryshme të Tiranës mbetën dje pa energji elektrike, mes tyre edhe QSUT, duke ngritur dyshime mbi shërbimin ndaj pacientëve në Reanimacion. Shefi i Reanimacionit, Krenar Lilaj, ka reaguar për mediat, duke thënë se energjia u ndërpre për disa minuta, por shërbimi vijoi pa cënuar jetën e pacientëve.

Ai shtoi se defekti ishte i rëndë, por theksoi se pacientët me aparat ventilimi janë të pajisur me ‘backup’, duke mundësuar funksionimin edhe pas ndërprerjes së energjisë.

Lidhur me aludimet se një pacient i dënuar, Mihal Merkuri, vdiq për shkak të mungesës së energjisë, Lilaj e mohoi, duke thënë se ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Momenti më delikat është trajtimi i të sëmurëve që kanë nevojë për asistencë respiratore. Këta pacientë, në kushtet e ndërprerjes së dritave, janë me pajisje backup që siguron funksionimin e tyre të plotë me energji të akumuluar, të inkorporuar në këto aparate. Trajtimi i këtyre të sëmurëve vazhdoi normalisht, pasi ata marrin mjekimin nëpërmjet aparateve me backup.”

“Ndërprerja e energjisë zgjati disa minuta. Nga informacionet që morëm, bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar. Në këto kushte, për të shmangur rënien apo mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve respiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit. Zhvendosja u bë vetëm 20 metra më larg, duke siguruar vazhdimin e trajtimit.”

“Vendosëm të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, 9 prej të cilëve ishin në respiracion të drejtuar. Ne kemi mjetet që transporti i tyre të realizohet me respiratorë portativë pa u cënuar shërbimi. Transporti ishte i shkurtër dhe i kryer në mënyrë të kontrolluar. Trajtimi vazhdoi në reanimacionin kardiologjisë. Dritat ikën në orën 20:18, në orën 20:43 filluam transportin e të sëmurëve, dhe rreth orës 21:10 përfundoi transporti. Pas disa minutash u rikthye energjia elektrike dhe pasi morëm siguri, pacientët u kthyen sërish në njësinë e terapisë intensive. Rikthimi vijoi në orën 22:00, në mënyrë të kontrolluar dhe pa komplikacione.”

“Them me përgjegjësi të plotë, nga pikëpamja funksionale, ndërprerja e energjisë nuk ka cënuar aspak trajtimin e pacientëve. Ata që ishin në reanimacionin kirurgjikal, vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka pasur komplikacion të situatës përsa i përket këtyre pacientëve.”

“A është normale ndërprerja e energjisë elektrike? Detyra ime është të mbroj jetën e të sëmurëve. Në çfarëdolloj situate ne jemi të gatshëm për të mbrojtur jetën. Kjo pyetje nuk më përket mua.”

“Sa i përket humbjes së jetës së një të sëmuri të dënuar, që po trajtohej në njësinë e terapisë intensive kirurgjikale, gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhjen ditën e diel pasdite. Ai kishte cirrozë hepatike dhe kishte pasur hemorragji masive, për të cilën u trajtua kirurgjikalisht. Saktësisht, i sëmuri ndërroi jetë në orën 4:13 të mëngjesit.”

“Vendimi që morëm për transferimin e tyre në reanimacionin kardiologjik ishte për të shmangur rënien e njëkohshme të këtyre pajisjeve, gjë që do të shkaktonte probleme në transportin e pacientëve. Them me siguri që aparatet e reja sigurojnë energji për 5-6 orë. Incidente të tilla kemi pasur shpesh vite më parë. Një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe para 1-2 vitesh, e cila u kalua me sukses nga ana jonë, ashtu si dhe mbrëmjen e kaluar,” tha ai për mediat.

Scroll to Top