Dënimi i gjyqtares Irena Gjoka në Greqi, Berisha: U vërtetua ajo që kemi thënë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar verifikimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me dënimin e gjyqtares Irena Gjoka për falsifikim vizash në Greqi. Sipas Berishës, rezultoi se dënimi ishte autentik dhe se ajo e kishte fshehur faktin. Berisha nënvizoi se u vërtetua ajo që ai kishte denoncuar që në mars të vitit 2024.
“Irena Gjoka ka një vendim penal në Greqi për falsifikim, si dhe dy dëbime nga shteti fqinj dhe zona Shengen. Ajo është një falsifikatore e certifikuar, me vendim gjyqësor, vepër për të cilën është dënuar me burg, dënim i cili më pas u konvertua në gjobë. Ky vendim penal ka marrë formë të prerë. Po kështu, ajo është dëbuar dy herë nga shteti grek, më 24.12.2002 dhe tre muaj më pas. Ajo ishte në dijeni të plotë të këtyre dëbimeve dhe autorizoi avokatët e saj për kundërshtimin e tyre. Avokatët kundërshtuan masat edhe në Gjykatën Administrative. Vesi i falsifikimit duket se ka qenë i thellë. Gjoka vazhdoi falsifikimet e saj si gjyqtare në Krime të Rënda dhe më pas në GJKKO. Ajo nuk ka raportuar dënimet e veta pranë KLGJ, siç kërkohej në ligjin e vitit 1996 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve,” tha Berisha.
