Berlini, me anë të ministrit të Jashtëm, përcjell në Tiranë të njëjtin mesazh si Uashingtoni
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë zhvilloi sot një vizitë në Tiranë, ku u fokusua menjëherë në çështjet kyçe. Gunther Krichbaum theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat, “veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftën e vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Ky mesazh nga Berlini është pothuajse në harmoni me deklaratat e Shteteve të Bashkuara në muajt e fundit. Kjo përfshin komentet e shumta të Ngarkuarës me Punë në Tiranë, Nancy VanHorn, dhe mesazhin e urimit për pavarësinë e Shqipërisë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ku u theksua rëndësia e luftës kundër karteleve ndërkombëtare të drogës nga organet e zbatimit të ligjit (si SPAK-u), si dhe nga vetë Presidenti Trump.
Ndërkohë që SHBA dhe Gjermania janë dakord për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vizitat në Tiranë dallojnë. Në kontrast me takimet e zyrtarëve të tjerë të lartë të Departamentit të Shtetit amerikan, si zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, Mark Fleming, i cili gjatë vizitave të tij në Tiranë shmangu takimin me Kryeministrin Rama, Krichbaum veproi ndryshe. Mes takimeve me personalitete si Klodian Braho, Taulant Balla apo Gazment Bardhi, ministri i Jashtëm gjerman zhvilloi një takim edhe me Edi Ramën.
Sigurisht, mesazhi i Krichbaum nuk u kufizua vetëm te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai përfshiu edhe retorikën diplomatike standarde, duke shprehur urime për Shqipërinë dhe përshëndetur rrugëtimin e saj drejt integrimit europian.
Në një deklaratë të tij, Krichbaum u shpreh:
- “Dëshirojmë ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe për këtë arsye jemi njëkohësisht miq, mbështetës dhe kritikë në rrugën e saj drejt BE-së. Vëmë re potencialin e madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE.
- Pikërisht për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë.
- Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga drejt BE-së duhet të ecë përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst reformat e nevojshme, sidomos në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
- Për këtë qëllim është i nevojshëm vazhdimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja dhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve, brenda përgjegjësive të tyre kushtetuese.”
