Tragjedi në Sydney: 12-vjeçari humb jetën pas sulmit nga peshkaqeni

Tragjedi në Sydney: 12-vjeçari vdes pas sulmit nga peshkaqeni

Një 12-vjeçar, Niko Andiç, ka humbur jetën në spital pas një sulmi nga një peshkaqen në Sydney. Djali kishte pësuar lëndime të rënda më 18 janar në plazhin Neilson, i njohur si “Plazhi i Peshkaqenëve”, ndërsa po kalonte kohë me miqtë e tij.

Pas kafshimit nga peshkaqeni, Niko pësoi dëmtime serioze në këmbë dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin e Fëmijëve të Sydney-t. Ai qëndroi në gjendje kritike deri në ditët e fundit. Pothuajse një javë pas incidentit, prindërit e tij, Lorena dhe Juan Andiç, njoftuan vdekjen e djalit, duke shprehur pikëllimin e thellë.

“Niko ishte një fëmijë i lumtur, miqësor dhe atletik, me mirësi dhe bujari. Ai ishte gjithmonë plot jetë dhe kështu do ta kujtojmë”, thanë ata.

Familja falënderoi ekipet e shpëtimit dhe stafin mjekësor për kujdesin e treguar, si dhe komunitetin lokal për mbështetjen. Ata gjithashtu kërkuan respekt për privatësinë e tyre në këtë periudhë të vështirë.

Rrethanat e sulmit

Sulmi ndodhi ndërsa fëmijët po hidheshin nga shkëmbinjtë në fund të plazhit. Autoritetet dyshojnë se një peshkaqen dem e ka sulmuar Nikosin. Miqtë e tij reaguan menjëherë duke e nxjerrë djalin nga uji, veprim për të cilin u lavdëruan për guximin dhe qetësinë.

Kjo ngjarje ishte pjesë e një serie sulmesh nga peshkaqenë që ndodhën në ditët në vijim, duke shtuar shqetësimin mes autoriteteve dhe frekuentuesve të plazheve. Steve Pearce, kreu i Surf Life Saving NSW, paralajmëroi se pas motit të keq, rrjedhjet e ujërave të ëmbla mund të tërheqin peshkaqenë pranë brigjeve, duke bërë disa zona të pasigurta për not dhe surfim.

Scroll to Top