## Malaj dhe Gazheli Vizitojnë Dy Kompani Përfituese të Statusit Operator Ekonomik i Autorizuar
Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë pune në dy kompani shqiptare që kanë përfituar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OEA): kompaninë “Everest” dhe “Albelettrica”.
Gjatë vizitës, Ministri Malaj u njoh nga afër me aktivitetin e kompanive dhe përfitimet që statusi OEA u ka sjellë atyre.
**Kompania “Everest”** ushtron aktivitet prodhues dhe eksportues në sektorin e profileve të duraluminit dhe industrisë së automotivës. Me rreth 530 punonjës, ajo operon në të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga përpunimi i aluminit deri te produktet e gatshme për tregun vendas dhe eksport. Rreth 60-65% e prodhimit të saj eksportohet në tregje si Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe vendet e rajonit.
Administratori i kompanisë “Everest” vlerësoi pozitivisht përfitimet e statusit OEA për biznesin, duke theksuar thjeshtimin e procedurave doganore, reduktimin e kontrolleve, përshpejtimin e transportit dhe kursimin e kohës, të cilët janë elementë kyç për rritjen e eficiencës dhe konkurrueshmërisë.
Vizita vijoi në kompaninë **”Albelettrica”**, një tjetër subjekt përfitues i statusit OEA, e specializuar në tregtimin me shumicë dhe pakicë të materialeve elektrike, civile dhe industriale, si dhe në projektimin dhe instalimin e tyre. Edhe përfaqësuesit e kësaj kompanie theksuan se certifikimi OEA ka sjellë lehtësira të ndjeshme në procedurat doganore, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostove dhe përmirësimin e performancës operacionale.
Ministri i Financave vlerësoi lehtësitë që sjell statusi OEA dhe i bëri thirrje të gjithë bizneseve të aplikojnë për të përfituar këtë status.
“Jemi sot këtu për t’i bërë thirrje të gjithë bizneseve në Shqipëri, të cilët kanë një aktivitet që i lidh me importin dhe eksportin në drejtorinë e Doganave, që të shohin mundësinë për të marrë certifikimin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar,” u shpreh z. Malaj. “Ai ju jep procedura doganore më të thjeshtuara, më pak kontrolle nëpër dogana, por edhe në ato raste kur ka kontrolle, subjektet me këtë certifikim kanë prioritet përsa i përket procesimit të procedurave doganore.”
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave vuri në dukje se statusi OEA bazohet në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë mes administratës doganore dhe bizneseve korrektë. Ai theksoi se përfitimet përfshijnë, ndër të tjera, më pak kontrolle dokumentare dhe fizike, zhdoganim lokal në ambientet e subjektit dhe kursim të ndjeshëm të kohës dhe kostove.
Gjatë vizitës, Ministri Malaj informoi se Shqipëria po punon intensivisht për përafrimin e Kodit Doganor me legjislacionin e Bashkimit Europian, proces që pritet të përfundojë brenda këtij viti.
“Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt përafrimit të të gjithë kuadrit të saj ligjor me direktivat e Bashkimit Europian,” tha Ministri i Financave. “Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po punon për të përafruar dhe harmonizuar të gjithë Kodin Doganor me kërkesat e direktivave të BE dhe brenda këtij viti ne do ta përfundojmë të gjithë këtë proces. Kodi Doganor shqiptar do të jetë njësoj si Kodi Doganor që aplikohet në Bashkimin Europian. Prandaj, këto lehtësira që ju tashmë i keni përfituar duhet t’i përfitojnë edhe operatorët e tjerë, në mënyrë që të jenë edhe ata më efikasë dhe më konkurrues në tregun ku do të aderojmë shumë shpejt.”
Operatori Ekonomik i Autorizuar (OEA) është një status që u jepet operatorëve ekonomikë të besueshëm, të cilët përfitojnë nga thjeshtime dhe lehtësira doganore, si dhe nga një trajtim më i favorshëm nga administrata doganore. Deri më tani, këtë status e kanë përfituar 18 kompani, të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm të tregut.
Për të përfituar statusin OEA, operatorët duhet të plotësojnë kritere të caktuara, si:
- Respektimi i legjislacionit doganor dhe tatimor
- Kapacitet i mirë financiar
- Sisteme të përshtatshme menaxhimi
- Dhe, për OEA-S, standarde të larta sigurie dhe mbrojtjeje të zinxhirit tregtar.
Përfitimet e statusit OEA jepen në varësi të llojit të autorizimit, si:
- Një trajtim më i favorshëm në lidhje me vlerësimin e riskut dhe kontrollet.
- Një akses i thjeshtuar apo ekskluziv në disa thjeshtime doganore.
- Si dhe marrëveshje për njohje të përbashkët me shtete të tjera.
