“`html
PD protestë me molotovë para Kryeministrisë, policia përgjigjet me gaz lotsjellës. Tensione edhe përpara Kuvendit. Berisha: Jemi në kilometrin e fundit të fitores
Partia Demokratike ka organizuar protestën e dytë kombëtare para Kryeministrisë.
Sali Berisha, i cili iu drejtua protestuesve nga podiumi i vendosur para godinës qeveritare, deklaroi se “Sot ne jemi në kilometrin e fundit me ndihmën e Zotit, asgjë s’do të na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket shumë larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria”.
Ai gjithashtu kritikoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë: “Një javë të tërë Rama krekoset me ftesën e Trump. E pat se si Rama e përdori atë ftesë për të shitur vetën, sikur ishte themeluesi por çfarë ndodhi, ndodhi që në mbledhjen themeluese të Bordit aty ku u firmos Bordi i Paqes në Davos Edi Ramën nuk e pranonte salla”.
Menjëherë pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, situata para Kryeministrisë është tensionuar. Pas valëvitjes së flamurit kombëtar nga kreu i PD, ka pasur hedhje koktejesh molotovë drejt godinës së Kryeministrisë. Një grup të rinjsh dyshohet se kanë hedhur këto pajisje drejt policisë pas largimit të Berishës nga podiumi.
Policia ka bërë thirrje për largimin e protestuesve nga kordoni i saj dhe për ndalimin e hedhjes së koktejëve molotovë. Si pasojë e sulmit me koktej molotov drejt punonjësve të rendit, disa efektivë policie kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Një autoambulancë ka transportuar 5 efektivë policie të lënduar.
Gjithashtu, edhe disa protestues raportohet të kenë pësuar lëndime nga gazi lotsjellës. Policia ka shoqëruar tre protestues, të cilët dyshohet se kanë hedhur koktej molotov drejt ndërtesës qeveritare.
Policia e shtetit, duke reaguar ndaj deklaratave të deputetit të PD, Flamur Noka, se policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ka lëshuar një njoftim zyrtar. Në këtë njoftim, policia thekson se gjatë protestës u hodhën koktej molotov, duke shkaktuar lëndime tek disa efektivë të saj. “Apelojmë për ndalim të sulmit ndaj policisë dhe distancim nga personat e dhunshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.
Protesta e opozitës është zhvendosur më pas para godinës së Kuvendit, ku nuk kanë munguar përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Deputeti Boçi ka deklaruar se policia ka përdorur spraj drejt fytyrës së deputetëve dhe protestuesve për t’i shpërndarë. Ai u shpreh: “Dinamika ishte sepse për shkak se ishim vërshuar te policia, pati goditje me spraj drejt protestuesve. Persona të caktuar, policë domethënë, janë jashtë ushtrimit të detyrës së tyre. Kanë goditur qytetarët. Na kanë provokuar dhe ne si deputetë. Ne jemi protestues sot, pretendojmë gjëra të tjera. Kjo protestë nuk ka skenarë. Janë qytetarët ata që kanë krijuar qytetarët. Protestën do e shohim në vazhdimësi.”
“`
