Siguria Kibernetike në Bankat Shqiptare: Rreziqe & Mbrojtje

Incidentet e sigurisë kibernetike në banka, më të zakonshmet janë tentativat për phishing

78% e bankave në Shqipëri kanë përjetuar incidente të sigurisë kibernetike. Një studim i realizuar nga specialistet e Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, Lindita Molishti dhe Margerita Topalli, tregon se paralelisht me rritjen e kërkesës për shërbime financiare digjitale, po rritet edhe ekspozimi i bankave dhe klientëve të tyre ndaj sulmeve kibernetike.

Nga vrojtimi i kryer me bankat tregtare, tentativat për “phishing” janë identifikuar si incidenti më i përhapur i sigurisë kibernetike. Këto tentativa kanë synuar marrjen e informacioneve delikate për klientët, siç janë kredencialet e bankingut në internet dhe të dhëna të detajuara të kartave të kreditit.

Sipas studimit, natyra e përhapur e përpjekjeve për “phishing” thekson nevojën që bankat të miratojnë mekanizma të fuqishëm zbulimi dhe parandalimi për të mbrojtur klientët e tyre nga kërcënime të tilla.

Përveç “phishing”, bankat kanë raportuar raste të komunikimeve elektronike të dëmshme që duken si e-maile legjitime. Këto e-maile synojnë të mashtrojnë klientët duke përfshirë lidhje të rreme ose bashkëngjitje, duke kompromentuar në fund të fundit sigurinë e të dhënave.

Këto dy kategori përbëjnë pjesën dërrmuese të incidenteve kibernetike të raportuara nga bankat tregtare. Ndërkohë, më të rralla kanë qenë incidentet që përfshijnë përpjekje për akses të paautorizuar, sulme ransomware (program që bllokon aksesin e klientit në të dhënat e tij dhe kërkon shpërblime për kthimin e aksesit) dhe modifikime të paautorizuara të të dhënave.

Sipas studimit, këto kërcënime më të sofistikuara, megjithëse më pak të shpeshta, nënvizojnë rëndësinë e mbajtjes së masave gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike për të mbrojtur të dhënat financiare të ndjeshme dhe për të siguruar integritetin operacional.

Studimi citon komentin e një banke, “se përpjekjet për phishing, ndonëse një sfidë e vazhdueshme, nuk kanë treguar një rritje të konsiderueshme të lidhur drejtpërdrejt me nismat e reja digjitale”. Kjo sugjeron se pavarësisht nga rreziqet e rritura që lidhen me transformimin digjital, bankat shqiptare janë kryesisht efektive në menaxhimin e këtyre sfidave.

Megjithatë, ndërsa shërbimet bankare digjitale zgjerohen dhe bëhen më komplekse, studimi ka evidentuar se nevoja për përmirësim të vazhdueshëm të praktikave të sigurisë kibernetike mbetet parësore. Duke investuar në teknologjitë e avancuara të sigurisë dhe duke nxitur një kulturë të ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike, bankat mund t’i zbusin këto rreziqe, duke siguruar një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur si për klientët, ashtu dhe për proceset operacionale bankare.

Autoret shprehen se këto përpjekje janë thelbësore për të mbështetur besimin e klientëve dhe palëve të interesuara në ekosistemin bankar dixhital.

Scroll to Top