Sejko: Tkurrja dhe plakja e popullsisë, sfidë për ekonominë
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka prezantuar sot raportin e saj të tranzicionit për vitet 2025-2026. Raporti i sivjetshëm fokusohet në ndryshimet demografike, një nga forcat më të fuqishme që formësojnë ekonomitë dhe shoqëritë tona.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se demografia është forca themelore e zhvillimit dhe prosperitetit të një shoqërie. Ai shtoi se aktualisht po jetojmë një pikë kthese demografike globale, e cila kërkon vëmendje të veçantë.
Me një numër gjithnjë e më të vogël njerëzish që hyjnë në tregun e punës dhe një numër në rritje të atyre që varen nga sistemet e pensioneve dhe të kujdesit shëndetësor, këto ndryshime po ushtrojnë presion mbi produktivitetin, financat publike, prioritetet politike dhe perspektivat afatgjata të rritjes në rajone të ndryshme.
Guvernatori Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë ka analizuar dhe trajtuar këto çështje dhe zhvillime demografike për rreth një dekadë. Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë identifikuar që herët si sfida përcaktuese për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Transformimi i shpejtë demografik po riformëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, duke i vënë përballë sfidave të ngjashme me ato të theksuara në Raportin e Tranzicionit.
Ai shtoi se emigracioni, dikur i konsideruar si faktor lehtësues për papunësinë dhe varfërinë, po shfaqet gjithnjë e më shumë si një sfidë strukturore. Rritja ekonomike e qëndrueshme, nivelet historikisht të ulëta të papunësisë dhe mungesat e fuqisë punëtore në sektorë kyç, kanë bërë më të dukshme pasojat afatgjata të ndryshimeve demografike, si për bizneset, ashtu edhe për familjet.
Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka treguar një aftësi të lartë përshtatjeje dhe qëndrueshmërie vitet e fundit, e mbështetur nga inflacioni i ulët, rritja e qëndrueshme ekonomike, rritja e punësimit dhe pagave, si dhe përmirësimi i llogarisë korrente. Kushtet e tregut të punës janë përmirësuar ndjeshëm, duke u reflektuar në rritje të punësimit, rënie të papunësisë në nivele historikisht të ulëta dhe një produktivitet pune dukshëm më të lartë krahasuar me periudhën para krizës financiare globale.
Ai nënvizoi se Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në këto zhvillime përmes zbatimit të një politike monetare të kujdesshme, të qëndrueshme dhe proaktive, të fokusuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse.
Guvernatori u shpreh se raporti ofron një panoramë të saktë të politikave dhe analizave të përshtatshme për të kuptuar ndryshimet demografike dhe ndikimet e tyre ekonomike. Gjetjet për Shqipërinë janë në rezonancë të plotë me përfundimet e paraqitura më gjerë në Raportin e Tranzicionit të BERZH-it. Në të gjitha vendet në zhvillim të Evropës, popullsitë në plakje dhe tkurrja e fuqisë punëtore rëndojnë mbi rritjen ekonomike.
Guvernatori Sejko falënderoi BERZH-in për kontributin dhe mbështetjen me investime financiare në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare.
