Titulli: Yield-i i bonove 12-mujore arrin nivelin më të ulët që prej vitit 2022
Yield-i i bonove 12-mujore të thesarit ka shënuar një rënie në ankandin e zhvilluar këtë javë, duke arritur nivelin më të ulët në gati katër vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar ka zbritur në 2.4%, krahasuar me 2.47% të regjistruar në ankandin e mëparshëm.
Shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave ishte 8 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 12.79 miliardë lekë. Për këtë arsye, Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e emetimit në 8.19 miliardë lekë.
Yield-i i shënuar në këtë ankand është më i ulëti që prej muajit maj të vitit 2022. Kjo periudhë përkonte me muajt e parë të rritjes së normave të interesit, pas ndikimit të fortë inflacionist që pasoi fillimin e luftës në Ukrainë.
Viti 2026 duket se ka nisur me një tendencë të mëtejshme uljeje të yield-eve të titujve qeveritarë. Kjo prirje ka prekur edhe instrumentet më afatgjata, të cilat në gjysmën e dytë të vitit 2025 kishin regjistruar një korrigjim në rritje të yield-eve.
Deri tani, as rritja sezonale e kërkesës për financim nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar nuk ka ndryshuar këtë trend. Tremujori i parë i vitit zakonisht shoqërohet me përqendrimin më të lartë të huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm financiar. Për këtë arsye, në përgjithësi pritet që yield-et të shënojnë një korrigjim të lehtë në rritje krahasuar me nivelet e vitit paraardhës.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, për tremujorin e parë të vitit 2026, huamarrja e planifikuar do të jetë 134 miliardë lekë, me një rritje prej 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shumë përfaqëson mbi 35% të vlerës totale vjetore të emetimeve të parashikuara nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm.
Pavarsisht rritjes së shumës së emetimeve, yield-et po vijojnë të bien. Në terma relativë, të matur në raport me normën bazë të interesit, yield-et kanë arritur nivelet më të ulëta historike.
Rënia e yield-eve mund t’i atribuohet në një masë të madhe likuiditetit të lartë në tregun e brendshëm financiar. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të kaluar, rritja e ofertës së parasë ka arritur nivelet më të larta historike. Në nëntor 2025, rritja vjetore e agregatit monetar M2 ishte 14.5%, ndërsa një vit më parë ishte 5.8%. Agregati M2 ka treguar ritme dyshifrore rritjeje që prej marsit 2025, duke arritur kulmin e tij prej 15.3% në shtator.
Agregati monetar M2 përfshin paratë jashtë sistemit bankar dhe depozitat bankare në Lekë, duke u përfshirë në përkufizimin e parasë së gjerë. Një rritje më e shpejtë e tij sugjeron se po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare në ekonomi.
Arsyet e rritjes së shpejtë të ofertës së parasë duket se janë kryesisht kreditimi me ritme të larta i ekonomisë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për të frenuar forcimin e monedhës vendase.
Yield-et e ulëta të titujve qeveritarë, sidomos ato të instrumenteve afatshkurtra, ndikojnë edhe koston e kredisë në Lekë për sektorin privat. Kjo ndodh për shkak se kreditë afatgjata në monedhën vendase, në përgjithësi, llogariten duke u bazuar në ecurinë e bonove të thesarit.
Burimi: BSH
