Rregullore të reja për plazhet: Investitorët strategjikë kanë përparësi

Kontratat për plazhet: Rregullorja e re favorizon investitorët strategjikë

Nënshkrimi i kontratave për bizneset që do të marrin plazhet me qira do të drejtohet nga rregulla të reja, të miratuara së fundmi nga qeveria. Këto ndryshime sjellin disa risi, duke përfshirë kushtet që duhet të plotësojnë subjektet dhe vendosjen e një tavanit për çmimet. Megjithatë, duket se ka një kategori që gëzon përparësi mbi të tjerët: investitorët strategjikë.

Sipas rregullores për stacionet e plazhit, në nenin shtatë, pika 2, përcaktohet se:

  • “Në rastin e kërkesave për projekte me potencial strategjik, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, apo kërkesave të investitorëve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, kontrata për përdorimin e hapësirës së plazhit lidhet sipas akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse.”

Në rregulloren e rishikuar, kjo pikë shtohet me një dispozitë thelbësore: “dhe ka përparësi mbi kontratat e plazhit të lidhura në atë zonë. Në çdo rast, gëzimi i përdorimit të bregut të detit si stacion plazhi nga investitori strategjik fillon pas vënies në funksion të strukturës akomoduese turistike”.

Ky ndryshim nënkupton se investitorët strategjikë kanë të drejtën e parë për të lidhur kontratën për përdorimin e plazhit, dhe kjo fillon të hyjë në fuqi vetëm pasi ata të kenë vënë në funksion strukturën e tyre turistike.

Ndërkohë, rregullorja sjell ndryshime edhe në dispozitat kalimtare, duke prekur pikat 3 dhe 4. Për plazhet ku nuk ekziston ende një strukturë akomodimi, subjekti i interesuar për të marrë një stacion plazhi duhet të ketë një strukturë shërbimi.

Një përjashtim i veçantë i është bërë Bashkisë Fier, Bashkisë Divjakë, Bashkisë Pogradec, plazhit Zvërnec, Plazhit të Vjetër (Bashkia Vlorë), plazheve Spille, Vilë-Bashtovë (Bashkia Rrogozhinë), plazheve Shetaj, plazhit të Gjirit të Lalzit, plazhit Hamallaj, plazhit të Katundit të Ri, plazhit Porto-Romano 1, plazheve Currila 1 deri në 5 (Bashkia Durrës), plazheve Borsh, Llaman, plazhit Lukovë 2, plazhit Maraçi (Bashkia Himarë), si dhe plazhit të Rrjollit (Bashkia Shkodër). Për këto zona, ku nuk ka struktura akomoduese pranë apo në afërsi të hapësirës së plazhit, nuk do të zbatohet kriteri për strukturë akomoduese.

Megjithatë, subjektet në këto zona, përveç kritereve të tjera të përcaktuara në nenin 7, pika 3, shkronjat “c” dhe “ç”, duhet të plotësojnë edhe një sërë kriteresh të reja, siç sqarohet në pikën 3 të rishikuar të rregullores.

Scroll to Top