Pas problemeve të së dielës, aksi rrugor Librazhd–Korçë do të jetë i mbyllur për tre netë.
Pas bllokimit të ndodhur të dielën në rrugën Librazhd–Korçë, në afërsi të fshatit Dragostunjë, i cili shkaktoi vështirësi të konsiderueshme në qarkullim, policia ka njoftuar se aksi do të jetë i mbyllur përkohësisht gjatë natës nga data 3 deri më 5 shkurt 2026.
Sipas njoftimit të policisë, arsyeja e këtij bllokimi janë punimet që po kryhen në këtë segment rrugor. Bllokimi do të hyjë në fuqi çdo natë nga ora 22:00 deri në 05:00.
Gjatë periudhës së bllokimit, do të lejohet qarkullimi vetëm për mjetet e emergjencës, si autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë.
Detaje shtesë:
- Për shkak të punimeve të planifikuara në aksin rrugor “Librazhd-Korçë”, në fshatin Dragostunjë, do të ketë mbyllje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve nga data 03.02.2026 deri më 05.02.2026, gjatë intervaleve kohore 22:00 – 05:00.
- Gjatë këtyre intervaleve, aksi rrugor do të jetë i pakalueshëm për automjete, sidomos për ato të tonazhit të rëndë.
- Pikat e kalimit kufitar janë njoftuar për të informuar drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë rreth këtij bllokimi.
- Gjatë kohës së bllokimit, do të lejohet lëvizja vetëm për autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë.
- Si alternativë për mjetet e vogla, për të kaluar drejt Tiranës dhe anasjelltas, mund të përdoret aksi “Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh”.
- Shërbimet e Policisë do të jenë të pranishme në terren për menaxhimin e situatës dhe garantimin e rendit dhe sigurisë rrugore.
- Policia Rrugore e Elbasanit kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, duke u bërë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e shërbimeve policore, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë orareve të bllokimit.
- Në rast nevoje ose për të raportuar shkelje të rregullave të qarkullimit që mund të shkaktojnë vonesa apo bllokime, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 ose të kontaktojnë shërbimet e Policisë në detyrë.
