Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ka bërë thirrje partisë së tij që të mos bojkotojë Komisionin për Reformën Territoriale.
Gjatë një takimi me strukturat e PD-së në Fier, Salianji u shpreh se reforma territoriale ekzistuese, e cila përfshin edhe gabime të bëra nga Partia Demokratike, ka larguar shërbimet nga qytetarët.
Ai kërkoi që PD-ja të dërgojë përfaqësuesit e saj në Komision, në mënyrë që të parashtrojë propozimet konkrete të opozitës.
“Ne nuk mund të themi një gjë paradite dhe diçka tjetër pasdite. O zotërinj, dilni aty, le t’i japim propozimet tona për Reformën Territoriale, le të takojmë njerëzit, le t’i shtojmë shërbimet dhe bashkitë ashtu siç i kërkojnë edhe qytetarët e qarkut të Fierit, për t’i shtuar bashkitë, jo për t’i pakësuar, sepse siç u bë Reforma Territoriale për shkak të gabimit të PD, ajo ka larguar shërbimet nga qytetarët”, tha ai.
