Kriza e blegtorisë/ Importet e bulmetit u rritën me 62% ndërmjet 2021-2025
Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet ushqimore tregon një varësi gjithnjë e më të theksuar nga importet. Sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme, kategoria “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” ka shënuar një rritje të konsiderueshme të vlerës së importit, duke u ngjitur nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2024, në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025.
Kjo rritje prej rreth 14% brenda një viti dhe 62% që nga viti 2021, sinjalizon se prodhimi vendas po humbet terren përballë produkteve që vijnë kryesisht nga vendet e Rajonit dhe Bashkimit Evropian. Kjo situatë vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e një krize strukturore që ka prekur sektorin e blegtorisë në Shqipëri.
Për vite me radhë, numri i krerëve të bagëtive po pëson rënie sistematike, duke u nxitur nga braktisja e fshatit, plakja e popullsisë rurale dhe mungesa e interesit të të rinjve për të trashëguar fermat familjare. Në të njëjtën kohë, kostoja e prodhimit vendas është shtrenjtuar për shkak të rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore dhe bazës ushqimore.
Blegtorët shqiptarë po përballen me vështirësi për të konkurruar me prodhuesit e huaj, të cilët mbështeten nga skema subvencionimi dhe teknologji më efikase. Tregu po reagoi duke u orientuar drejt mbushjes së vakumit të krijuar nga prodhimi vendas përmes importeve.
Ndërsa konsumi i brendshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm dhe kërkesa nga sektori i turizmit po rritet vit pas viti, mungesa e qumështit dhe nënprodukteve të tij vendas po plotësohet nga fabrikat e huaja. Forcimi i monedhës vendase ka bërë që importi i djathit, qumështit apo gjalpit nga vendet e Bashkimit Evropian të jetë më i lirë krahasuar me vitet e kaluara.
Për një tregtar, sot është më fitimprurëse të importojë një sasi të madhe qumështi nga Italia apo Hungaria, sesa të grumbullojë sasi të vogla qumështi nga fshatrat e Shqipërisë me kosto logjistike të lartë. Leku i fortë po ndikon negativisht prodhuesin vendas, i cili nuk arrin të konkurrojë me çmimet e huaja.
Kjo situatë krijon një rreth vicioz: sa më shumë rriten importet, aq më pak presion ka mbi institucionet për të mbështetur blegtorinë lokale, duke e lënë atë në mëshirë të konkurrencës rajonale dhe duke u zhvlerësuar.
Ekspertët e fushës paralajmërojnë se nëse kjo tendencë, e reflektuar në shifrat e vitit 2025, do të vijojë me të njëjtat ritme, Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor në produktet bazë. Rritja e importeve me plot 10 milionë euro brenda një viti tregon se politikat e subvencionimit nuk kanë arritur të frenojnë tkurrjen e stallave.
