Alibia e drejtësisë për 11 majin: Tre të dënuar për vota, binomi PS-shtet i paprekur
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka dënuar tre persona për blerje votash në Qarkun e Lezhës gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Ky vendim duket më shumë simbolik sesa real, duke pasur parasysh shtrirjen e fenomenit.
Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja janë shpallur fajtorë për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Sipas SPAK, ata kanë shpërndarë para për votues në Bashkinë Kurbin në mbështetje të Partisë Socialiste.
Të tre të pandehurit janë dënuar me nga një vit burg, dënim i cili është reduktuar në 8 muaj dhe është pezulluar. Ata do të jenë në shërbim prove për një vit e gjysmë, çka do të thotë se nuk do të vuajnë asnjë ditë burg.
Në një vend ku raportet ndërkombëtare flasin për përdorim masiv të shtetit në funksion të pushtetit, presion ndaj administratës, blerje votash dhe përfshirje të elementëve kriminalë, drejtësia duket se godet vetëm raste sporadike dhe individë periferikë.
Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit theksonte se Partia Socialiste përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë. Gjithashtu, u raportuan raste presioni ndaj votuesve dhe përdorim i mekanizmave shtetërorë në funksion të garës elektorale.
Në këtë kontekst, dënimi i tre personave për një episod lokal të blerjes së votës krijon përshtypjen se drejtësia ndëshkon hallkat më të dobëta të zinxhirit, ndërsa mekanizmi i madh i manipulimit elektoral mbetet i paprekur.
