Sekuestrohen 2200 tableta me ekstazi, dy kushërinj në pranga
Dy kushërinj janë arrestuar në Tiranë, të dyshuar për përgatitje dhe shitje të lëndëve narkotike. Të ndaluarit janë E. L., 42 vjeç, dhe B. L., 59 vjeç.
Sipas hetimeve, ata kishin përshtatur një ambient në banesën e tyre në zonën e “Ali Demit” për prodhimin e tabletave ekstazi (MDMA). Këto substanca dyshohet se përdoreshin për shitje në lokalet e natës.
Operacioni u zhvillua pas disa javësh hetimesh. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi rreth 2200 tableta ekstazi dhe dy telefona celularë. Dy të arrestuarit u kapën në flagrancë dhe çështja po hetohet nga organet e drejtësisë.
