“`html
Talentet shqiptare tërheqin Europën: mbi 5400 karta blu në një dekadë
Europa po tregon një vlerësim të lartë për talentet shqiptare, duke u dhënë gjithnjë e më shumë karta blu. Karta blu është një leje pune dhe qëndrimi e destinuar për individë me kualifikime të larta nga vende jashtë Bashkimit Europian (BE). Sipas të dhënave të Eurostat, që nga viti 2014 e deri më tani, shtetasve shqiptarë u janë akorduar gjithsej 5405 karta blu.
Viti 2019 shënoi një pikë kthese, duke nisur një cikël të konsiderueshëm emigracioni të personave të kualifikuar. Në vitin 2023, numri i kartave të dhëna arriti në 825, ndërsa në vitin 2024 ky numër u ul në 592. Megjithatë, krahasuar me vitet e mëparshme, rritja është domethënëse. Vetëm në vitin 2012, shqiptarët kishin përfituar vetëm 15 karta të tilla, ndërsa rekordi aktual, i vendosur në vitin 2021, është 882 karta.
Rritja e numrit të kartave blu për shqiptarët kryesisht i atribuohet Gjermanisë. Në vitin 2021, ky shtet lëshoi 823 karta blu për shtetasit shqiptarë, duke zënë 93% të totalit të dhënë nga vendet e BE-së. Në vitin 2023, Gjermania akordoi 716 leje, përfaqësojnë 87% të totalit, ndërsa në vitin 2024 numri ra në 513, gjithsesi 87% e totalit.
Përfituesit e kartës blu në Gjermani duhet të kenë një pagë minimale vjetore prej të paktën 43,000 euro (rreth 3,600 euro në muaj). Pas Gjermanisë, Italia renditet në vend të dytë, megjithatë me shifra shumë më të ulëta (23 në 2022, 41 në 2023 dhe 20 në 2024). Austria vijon pas saj me (11 në 2022, 30 në 2023 dhe 18 në 2024). Polonia është një tjetër destinacion që po tërheq talentet shqiptare, duke dhënë 11 karta blu në vitin 2023 dhe 13 në 2024.
Gjermania është bërë një destinacion kryesor për profesionistët shqiptarë, sidomos nga fushat e teknologjisë së informacionit dhe mjekësisë. Kjo tërheqje është nxitur nga pagat e larta dhe lehtësimi i kritereve, pasi vendi përballet me mungesë të fuqisë punëtore për shkak të plakjes së popullsisë.
Ndërkohë që talentet largohen, Shqipëria po ndien gjithnjë e më shumë pasojat e këtij fenomeni. Një raport i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) thekson se rreth 23% e të arsimuarve nga Shqipëria tashmë kanë emigruar. Vendit i përket një nivel i lartë emigracioni të popullsisë së arsimuar në vitet 2023-2024, me kthime shumë më të ulëta krahasuar me 38 vende të Rajonit të BERZH.
Kartat blu në BE
Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, në vitin 2023 u dhanë rreth 89,000 Karta Blu në nivel të BE-së. Gjermania mbeti dominuese, duke lëshuar rreth 69,000 leje (78% e totalit), e ndjekur nga Polonia (rreth 7,000) dhe Franca (rreth 4,000).
Ndër shtetësitë përfituese, ata nga India vijuan të jenë kryesorët, të ndjekur nga Rusia, Turqia dhe Bjellorusia. Kjo reflekton kërkesën e lartë të tregut europian për profesionistë në sektorë teknikë dhe me kualifikim të lartë.
Çfarë është Karta blu
Karta Blu e BE-së është një leje pune dhe qëndrimi për shtetas nga vende jashtë BE-së me kualifikime të larta profesionale, për të punuar brenda një shteti anëtar. Ajo synon të tërheqë specialistë të huaj në profesione të kërkuara, duke ofruar kushte të favorshme pune, duke përfshirë të drejtën e qëndrimit familjar, mobilitet brenda BE-së dhe mundësinë për qëndrim afatgjatë.
Karta Blu lëshohet bazuar në një kontratë pune me një pagë minimale të përcaktuar dhe kualifikime universitare. Për të aplikuar, duhet të plotësohet një prag minimal page, që ndryshon sipas vendit anëtar dhe sektorit të punës. Këto pragje përcaktohen nga autoritetet kombëtare dhe zakonisht përfaqësojnë një përqindje të pagës mesatare bruto.
Për shembull, në Gjermani për vitin 2025, paga minimale vjetore bruto për Kartën Blu është 48,300 euro për profesionet e përgjithshme dhe 43,759.80 euro për profesionet me mungesë të theksuar, si IT, inxhinieri dhe kujdes shëndetësor.
Profesionet me prioritet të lartë për Kartën Blu të BE-së përfshijnë:
- Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)
- Inxhinieri
- Mjekësi dhe kujdes shëndetësor
- Shkencat natyrore dhe matematika
- Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor
- Financa dhe kontabiliteti
“`
