Amnistia Penale: 380 Persona të Liruar Menjëherë, Dënimet e Rreth 900 Personave Ulen
Këshilli i Ministrave miratoi ditën e sotme projektligjin e Amnistisë Penale, i cili pritet të depozitohet në Kuvend për miratim përfundimtar. Relacioni i projektligjit thekson se synimi kryesor është zbatimi i një politike lehtësuese penale për të mundësuar rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri të personave të dënuar, si dhe për të ulur mbipopullimin në burgje.
Ky instrument ligjor ofron mundësinë personave që kanë kryer vepra penale të riintegrohen në liri, duke shmangur aplikimin e masave represive. Duke iu referuar standardeve ndërkombëtare, kufizimi i lirisë dhe zbatimi i dënimeve penale duhet të konsiderohen si masë e fundit, proporcionale me shkeljen e kryer dhe rrezikshmërinë e individit. Për vepra penale të lehta, dënimi me burgim mund të shmangen në bazë të parimit të humanizmit, duke krijuar mundësinë personit të provojë në liri rehabilitimin dhe parandalimin e veprave të ardhshme.
Përjashtimet nga Amnistia:
- Të dënuarit që paraqesin rrezikshmëri të theksuar dhe kanë kryer vepra penale kundër njerëzimit, si vrasja, plagosja, dhuna në familje, vepra kundër mjedisit, terrorizmi, korrupsioni etj.
- Personat e dënuar me burgim të përjetshëm.
- Personat e gjykuar nga Gjykata Speciale (GJKKO).
- Personat që i janë shmangur drejtësisë.
Përfitues specifikë nga Amnistia:
- Të dënuar burra: Me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet, ose me mbi 3 vjet por me më pak se 3 vjet të mbetur pa vuajtur.
- Të dënuara gra: Me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet, ose me mbi 4 vjet por me më pak se 4 vjet të mbetur pa vuajtur.
- Gratë e dënuara: Të cilat në datën e hyrjes në fuqi të ligjit janë 50 vjeç e sipër.
- Burrat e dënuar: Të cilët në datën e hyrjes në fuqi të ligjit janë 60 vjeç e sipër.
- Personat e dënuar: Të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë 18 vjeç e më poshtë.
Statistikat paraprake:
- Rreth 380 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm, përfshirë 4 të mitur, 5 gra dhe 7 shtetas të huaj.
- Rreth 900 persona përfitojnë ulje dënimi, përfshirë 10 gra, 3 të mitur dhe 12 të huaj.
Projektligji parashikon gjithashtu edhe shuarjen e ndjekjes penale për vepra penale të caktuara që nuk konsiderohen me rrezikshmëri shoqërore. Ky parashikim përfshin pushimin e ndjekjes penale për çështjet në hetim, ato të pashqyrtuara ose në proces gjykimi, si dhe kallëzimet ekzistuese, pavarësisht datës së regjistrimit, për vepra penale të kryera deri më 31.12.2025, që parashikojnë dënim maksimal deri në 3 vjet burgim ose çdo dënim më të butë, me përjashtim të kategorive që paraqesin rrezikshmëri të caktuar shoqërore edhe pse dënohen deri në 3 vite burgim.
