Netanyahu: Epstein nuk punoi për Izraelin, por për Barakun
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar në mënyrë të prerë se Jeffrey Epstein “nuk ka punuar për Izraelin”. Megjithatë, ai e ka shfrytëzuar vëmendjen e ripërtërirë ndaj dosjeve Epstein për të sulmuar paraardhësin e tij, Ehud Barak.
Sipas raportimeve të The Jerusalem Post, lidhjet e ish-kryeministrit Barak me Epstein kanë marrë vëmendje të gjerë mediatike pasi është zbuluar se ata janë takuar disa herë në vitet 2015 dhe 2016, pra pas dënimit të parë penal të Epsteinit. Fotografi të publikuara në atë kohë tregonin Barakun duke hyrë në rezidencën e Epsteinit në Manhattan, New York.
Në komentin e tij të parë publik mbi dokumentet e Epsteinit, Netanyahu u shpreh se “marrëdhënia e pazakontë dhe e ngushtë e Epsteinit me Ehud Barak nuk sugjeron se Epsteini ka punuar për Izraelin, ajo sipas tij provon të kundërtën”. Ai shtoi se kjo përpjekje e tij ishte për të ndarë individin nga shteti.
Netanyahu theksoi se “i mbërthyer pas humbjes së tij zgjedhore prej më shumë se dy dekadash, Barak ka tentuar në mënyrë obsesive prej vitesh të minojë demokracinë izraelite, duke bashkëpunuar me të majtën radikale anti-sioniste në përpjekje të dështuara për të rrëzuar qeverinë izraelite të zgjedhur nga populli”. Ai akuzoi më tej paraardhësin e tij se është angazhuar “në aktivitete publike dhe prapa skenave për të minuar qeverinë e Izraelit, përfshirë nxitjen e lëvizjeve masive të protestës, shkaktimin e trazirave dhe ushqimin e narrativave të rreme mediatike”.
Ehud Barak është një nga kritikët më të zëshëm të Netanyahut dhe vazhdimisht ka bërë thirrje për largimin e qeverisë.
