“`html
Raporti i kredive me probleme bie nën kufirin e 4% për herë të parë pas 18 vjetësh
Raporti i kredive me probleme ka shënuar një rënie për të nëntin vit radhazi gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ky raport zbriti në 3.8%, nga 4.17% që ishte një vit më parë. Ky është rezultati më i ulët i regjistruar prej afërsisht 18 vjetësh, duke rënë për herë të parë nën pragun e 4% dhe duke arritur nivelin më të ulët që prej janarit të vitit 2008.
Megjithëse në përgjithësi raporti i kredive me probleme pati një ecuri të qëndrueshme gjatë vitit 2025 dhe dukej se rënia e vazhdueshme e nisur që nga viti 2017 mund të ngadalësohej, muaji dhjetor solli një ulje më të theksuar krahasuar me muajt e mëparshëm.
Deri në nëntor, raporti i kredive me probleme mbante nivelin e 4.19%, pothuajse të njëjtë me fundin e vitit 2024. Rënia më e ndjeshme gjatë muajit dhjetor shpjegohet me praktikën e zakonshme të bankave për të pastruar portofoliet nga kreditë e humbura para mbylljes së vitit financiar. Volumet më të mëdha të kredive të cilësuara jashtë bilancit ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e raportit të kredive me probleme.
Nga ana tjetër, edhe rritja e konsiderueshme e portofolit të kredisë gjatë muajit të fundit të vitit vlerësohet se ka ndikuar pozitivisht në raportin e kredive me probleme. Në fund të vitit 2025, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 943.5 miliardë lekëve. Vetëm në muajin dhjetor, ky portofol u rrit me më shumë se 18 miliardë lekë.
Në bazë vjetore, portofoli total i kredisë u rrit me 12.9%, duke përshpejtuar ritmin krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024. Rritja e lartë, veçanërisht në segmentin e individëve, ka mbajtur në nivele të larta kreditimin, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga Banka e Shqipërisë dhe masave të ndërmarra për ta ngadalësuar atë.
Megjithë rënien e raportit të kredive me probleme gjatë vitit 2025, veçanërisht në kontekstin e një rritjeje të shpejtë të dhënies së kredive në vitet e fundit, Banka Qendrore thekson nevojën që bankat të ruajnë vigjilencën në procesin e analizës dhe monitorimit të aplikimeve për kredi.
Në një prononcim për median në fund të vitit 2025, Banka e Shqipërisë vlerësoi se duhet pasur kujdes për të kontrolluar dhe moderuar efektin e mundshëm të zgjerimit të shpejtë të kredisë dhe rritjes së konkurrencës në treg, të cilat mund të çojnë në relaksimin e standardeve të kreditimit.
Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme shënoi një rritje të lehtë gjatë vitit 2025. Në fund të dhjetorit, vlera e kredive me probleme vlerësohet në rreth 35.9 miliardë lekë, krahasuar me 34.8 miliardë lekë një vit më parë.
Burimi: Banka e Shqipërisë
“`
