Transferimi i 4,500+ anëtarëve të IS nga Siria në burgjet e Irakut

Mbi 4,500 anëtarë të Shtetit Islamik janë transferuar nga Siria në burgjet irakiane

Qindra të burgosur të huaj, përfshirë shumë anëtarë evropianë të grupit Shteti Islamik, janë transferuar nga Siria në Irak si pjesë e një operacioni të fundit amerikan. Një burim sigurie irakiane bëri të ditur këtë të martë se 4,583 të burgosur tashmë kishin mbërritur në vend, nga një objektiv prej 7,000.

Vendimi për transferimin e tyre u mor në janar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim shmangien e rrezikut të arratisjes së tyre pas tërheqjes së forcave kurde nga burgjet ku mbaheshin xhihadistët. Tërheqja e forcave kurde ndodhi nën presionin e ushtrisë siriane.

Sipas burimit të cituar nga Agjencia France-Presse, të burgosurit e transferuar në Irak janë gjithsej 5,046. Nga ky numër, 271 janë irakianë, 3,245 janë sirianë, ndërsa 900 vijnë nga Evropa, Azia dhe Australia.

Në mesin e evropianëve, shumica janë gjermanë (27), të ndjekur nga holandezët (10), britanikët (9) dhe francezët (3). Gjykatat irakiane kanë nisur procedurat ligjore kundër tyre.

Në të kaluarën, gjykatat e Irakut kanë dënuar shumë anëtarë të Shtetit Islamik, përfshirë luftëtarë të huaj, me vdekje ose burgim të përjetshëm. Bagdadi u kritikua në atë kohë nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të cilët denoncuan “gjyqe spektakolare”, rrëfime të nxjerra nëpërmjet torturës ose përfaqësim joadekuat të të akuzuarve nga ana e avokatëve të tyre.

Bagdadi dhe Uashingtoni u kërkojnë vendeve të origjinës së këtyre të burgosurve t’i riatdhesojnë ata. Megjithatë, shumë qeveri, veçanërisht ato perëndimore, refuzojnë ta bëjnë këtë.

Në vitin 2014, Shteti Islamik pushtoi zona të mëdha të Sirisë dhe Irakut, duke kryer masakra dhe duke skllavëruar gra dhe vajza si skllave seksuale. Me mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të, Iraku shpalli humbjen e Shtetit Islamik në vitin 2017. Në Siri, Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët mposhtën Shtetin Islamik dy vjet më vonë. Kurdët burgosën mijëra anëtarë të dyshuar të organizatës dhe i mbyllën familjet e tyre në kampe.

Scroll to Top