Formimi i Qeverisë: SHBA-ja shpreh mbështetje ndaj Kosovës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka mirëpritur konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Në një njoftim në rrjetet sociale, ambasada theksoi se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me qeverinë e re për të avancuar prioritetet e përbashkëta.
“Ambasada e SHBA-së mirëpret formimin e Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës. Ne presim të punojmë me qeverinë e re për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe përparimin ekonomik të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Seanca për konstituimin e Kuvendit u mbajt pasditen e së mërkurës, më 11 shkurt, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetare e Kuvendit.
Gjithashtu, të njëjtën ditë u mbajt edhe seanca për formimin e qeverisë së re. Kryeministri Albin Kurti prezantoi kabinetin prej 19 ministrash, i cili mori 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim.
Kujtojmë se Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare pas krizës politike që filloi pas procesit zgjedhor të shkurtit.
