Tuchel me Anglinë drejt Kupës së Botës e Euro 2028

Anglia “blindon” trajnerin Tuhel: Tani synon Kupën e Botës

Pas udhëheqjes së “Tre Luanëve” pa asnjë humbje në rrugëtimin drejt një kualifikimi rekord për Kupën e Botës 2026, turne që do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Thomas Tuhel ka rënë dakord të qëndrojë si trajner kryesor i Anglisë edhe për dy vjet të tjera. Përfaqësuesja britanike nuk pësoi asnjë gol gjatë atij edicioni të suksesshëm të eliminatoreve të Botërorit, duke shënuar gjithsej 20 gola. Jo rastësisht, Anglia është renditur tashmë në pesë Kombëtaret më të mira në botë.

NJOFTIMI

Rezultatet e mira dhe loja bindëse kanë sjellë bindjen te drejtuesit e Federatës Angleze të Futbollit për të arritur një marrëveshje për rinovimin me trajnerin gjerman. Një deklaratë zyrtare e Federatës Angleze konfirmoi: “Thomas Tuchel ka nënshkruar një kontratë të re për të udhëhequr ekipin e Anglisë drejt ‘UEFA EURO 2028’, që do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë. Natyrisht, pjesë e rëndësishme e stafit teknik të Tuhelit janë edhe emra si Antoni Berri, Henrike Hilario, Niko Majer, si dhe Xhejms Melburn, të cilët gjithashtu kanë nënshkruar kontrata të reja deri në verën e vitit 2028, kur do të mbyllet edhe aventura e Europianit.”

ENTUZIASMI

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që zgjas kohën time me Anglinë. Nuk është sekret për askënd që kam dashur çdo minutë deri më tani të punës me lojtarët dhe trajnerët e mi – dhe mezi pres t’i udhëheq ata në Kupën e Botës”, deklaroi Tuchel pas nënshkrimit të marrëveshjes. Ky lajm vjen pak muaj para fillimit të Kampionatit Botëror, duke shtuar shpresat e tifozëve që, nën drejtimin e teknikut gjerman, Anglia të rikthehet fuqishëm në garën për trofeun e madh botëror. Trofe ky që Anglia e synon që nga viti 1966, kur e fitoi Kupën e Botës për herë të fundit.

(Burimi: PANORAMASPORT.AL)

Scroll to Top