Pengu i Trabzonsporit! Prapaskena me Ernest Muçin, si ish-trajneri prishi transferimin nga Tirana
Alban Bushi ka zbuluar një prapaskenë interesante rreth kohës kur Ernest Muçi ishte pjesë e Tiranës dhe ai, si trajner i Kombëtares U-21, e kishte sugjeruar për ekipin e Trabzonsporit. Sipas Bushit, ish-trajneri i Trabzonsporit, Abdullah Avci, nuk kishte dhënë miratimin për të blerë kartonin e Muçit. Pesë vite më parë, nga ky “okazion” përfitonte Legia e Varshavës.
Trabzonspori kishte shprehur interes edhe për profilin e Muçit te Legia, por në atë kohë, Beshiktashi siguroi firmën e lojtarit.
I pyetur nëse ka folur me trajnerin aktual të Trabzonsporit për Muçin, Bushi u shpreh:
“Nuk është se kam folur me trajnerin. Thjesht nëpërmjet një gazetari që ishte drejtpërdrejt në televizor, mora edhe unë pjesë në bisedë ku ishte edhe trajneri. Diskutimi ishte te ana defensive e Muçit. Ishte shumë e rëndësishme.
Faktikisht, Muçin ia kam sugjeruar edhe kur ishte te Tirana skuadrës së Trabzonsporit, por trajneri që kanë pasur, Abdullahu, nuk e pëlqeu. Tha: ‘Është i ri dhe duam lojtarë me eksperiencë’. Dhe Muçi iku në Varshavë.
Trajneri i Trabzonit po e diskuton këtë pjesë sepse atëherë mund të ikte nga Tirana me 500-600 mijë euro. Tani Trabzonspori duhet ta blejë për 10 milionë euro, nëse marrin vendimin për ta blerë”, u shpreh Bushi për “Sport News” në “News 24”.
