Daily Mail tregon rënien e Grennell: Ambicia për zv.president i kushtoi shtrenjtë
Media britanike ka publikuar një artikull në lidhje me Richard Grennell, duke analizuar se si karriera e tij diplomatike mori një kthesë të fortë dhe si ai u mënjanua nga rrethi i ngushtë i presidentit Donald Trump pas disa përplasjeve.
Ish-shefi i inteligjencës amerikane dhe një nga diplomatët më besnikë të Trump, sot drejton Qendrën Kennedy për Arte Performuese. Megjithatë, ky rol duket i pasigurt mes polemikave dhe tensioneve të brendshme.
Rënia e ndikimit të Grenell brenda orbitës së Trump duket se ka nisur më herët. Ndonëse konsiderohet si një nga kandidatët më potencialë në kabinetin e presidentit Trump, Grenell përfundoi jashtë vendimmarrjes kryesore, sidomos në çështjen e Venezuelës. Kjo erdhi pas një përplasjeje me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.
Si i dërguar special, Grenell mbështeti një qasje më pragmatike ndaj regjimit të Nicolas Maduro, duke favorizuar negociatat dhe marrëveshjet energjetike. Por Sekretari i Shtetit Marco Rubio shtyu për një linjë më të ashpër të “presionit maksimal”, dhe sipas burimeve, arriti ta anashkalonte Grenell nga çështja e Venezuelës.
“Grenell fillimisht pa përfitime të prekshme nga qasja e tij më e butë, duke negociuar lirimin e të burgosurve dhe duke nxitur një qasje pragmatike që favorizonte marrëveshjet e naftës mbi ndryshimin e regjimit. Por shpejt ai e gjeti veten në një bllokim taktik me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Ndërsa Rubio nxiste ‘presion maksimal’ dhe një forcim ushtarak që përfundimisht çoi në kapjen tronditëse të Maduros, Grenell thuhet se ende po mbështeste një ‘marrëdhënie të ndryshme’ me diktatorin, të rrënjosur në diplomaci dhe shtrëngim,” shkruan Daily Mail.
Një diplomat amerikan, i cili kishte punuar më parë me Grenell, u shpreh se edhe Maria Machado refuzoi të merrej me të, pjesërisht për shkak të arrogancës dhe paefektshmërisë së tij. “Ajo mendonte se Grenell ishte poshtë saj… nuk e kuptonte kush ishte Grenell, ai është një askush në Amerikën Latine. Ajo ishte gjithashtu e kujdesshme, nuk e njihte dhe as nuk i besonte,” shpjegoi diplomati amerikan.
Sipas Daily Mail, marrëdhëniet e tensionuara me figura kyçe të administratës, përfshirë shefen e stafit Susie Wiles, dëmtuan më tej pozitën e tij. Një incident i ashpër verbal gjatë Konventës Kombëtare Republikane i kushtoi Grenell çdo shans për një post të rëndësishëm në mandatin e dytë të Trump, ndonëse ai e ka mohuar përplasjen.
Në këtë ndikoi edhe fakti se Grenell nisi ta prezantonte veten te ndihmësit e fushatës në Mar-a-Lago si kandidat i mundshëm për zëvendëspresident. “Ai i bërtiti Susie-t dhe i tha: ‘Ti je arsyeja pse do t’i humbasim këto zgjedhje të mallkuara.’ Ai e qortoi Susie Wiles sepse nuk mori një vend për të folur në konventë në kohën më të mirë. Kjo është arsyeja pse ai nuk ka… një punë të rëndësishme. Kjo është arsyeja pse ai nuk u konsiderua kurrë për Sekretar Shteti,” tha një burim pranë Shtëpisë së Bardhë për Daily Mail.
Ishte pikërisht ky incident, i cili “vulosi” fatin e Grenell, duke e përjashtuar atë nga çdo rol serioz në nivel kabineti në Trump 2.0. Sipas një burimi pranë familjes Trump, Wiles ka vijuar me komente kundër Grenell brenda Zyrës Ovale. Po ashtu, nga brenda orbitës së brendshme të Trump, argumentohet se Grenell mund t’i shkaktonte dhimbje koke administratës për shkak të marrëveshjeve të tij jashtë shtetit.
Gazeta britanike përmend një episod të dështuar diplomatik në maj 2025, i cili mesa duket ishte një tjetër goditje për karrierën e Grenell. Sipas burimeve, ai organizoi që presidenti serb Aleksandar Vuçiç të udhëtonte drejt Floridës për një takim privat me Donald Trump, por takimi nuk u zhvillua kurrë. Burimet thanë se shefja e stafit, Susie Wiles, e bllokoi personalisht takimin, duke sinjalizuar se iniciativat e pavarura të Grenell nuk kishin më mbështetje në rrethin e ngushtë presidencial.
Në lidhje me këtë takim të pazhvilluar, Beogradi tha zyrtarisht se Vuçiç u kthye për arsye shëndetësore, duke argumentuar se presidenti kishte pasur një problem me hipertensionin.
Diplomatët e njohur me situatën shpjegojnë se qëllimet e Grenell përtej marrëdhënieve serbo-amerikane përqendroheshin rreth marrëveshjeve të biznesit në Serbi të bëra me Jared Kushner. Kjo pasi pjesa më e rëndësishme e biznesit të tij privat përfshin partneritetin me firmën e investimeve të Kushner, Affinity Partners. Gazeta britanike shkruan se Grenell luajti një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e një hoteli luksoz dhe kompleksi memorial prej 500 milionë dollarësh në qendër të Beogradit. Marrëveshja përfshinte një kontratë qiraje 99-vjeçare me qeverinë serbe, ku firma e Kushnerit zhvillon vendin, dhe fitimet ndahen me shtetin serb. Megjithëse në këtë pikë, duket se marrëveshja mund të ketë dështuar.
Pasuria e Grenell vlerësohet mes 1 dhe 5 milionë dollarëve, ndërsa brenda komunitetit diplomatik, ai përshkruhet si “diplomat transaksional”, me stil luftarak që ka krijuar jo pak armiq.
“Do të thoja se ai është jashtëzakonisht egoist dhe ambicioz pa mëshirë, dhe mund të jetë vërtet i keq. Pas frikës nga kanceri, ai dukej i ndryshuar. Ai u bë shumë më i pamëshirshëm,” tha për Daily Mail një diplomat që e ka njohur Grenell për dekada.
Ambicia e tij për të pasuar Marco Rubio në krye të diplomacisë amerikane tani shihet si e paarritshme, veçanërisht pas përplasjeve mbi qasjen ndaj Venezuelës. Aktualisht, si drejtues i John F. Kennedy Center for the Performing Arts, ai përballet me polemika për shkurtime buxhetore, plane riemërtimi dhe bojkot nga artistë të njohur. Ndërsa ka akuzuar media si CNN dhe The Washington Post për nxitje të reagimit negativ.
“Ai është bombastik dhe tepër i sigurt në vetvete për arsye që unë sinqerisht nuk i kuptoj… Ai ishte padyshim në anën e gabuar të administratës kur bëhej fjalë për Venezuelën dhe Rubion. 15 minutat e tij të famës kanë kaluar dhe kjo është arsyeja pse ai është tani në Qendrën Kennedy. Qëllimi i tij, ambicia e tij, është të jetë Sekretar i Shtetit. Por nuk e shoh këtë të ndodhë. Trump i di pikëpamjet negative që shumë njerëz kanë për të,” shtoi diplomati.
Mes presionit në rritje, Grenell u ka thënë privatisht miqve të ngushtë se planifikon të largohet nga Qendra Kennedy më vonë këtë vit. Për momentin, njeriu që dikur ëndërronte të drejtonte inteligjencën ose diplomacinë amerikane e gjen veten duke menaxhuar një teatër. Kjo si në kuptimin e mirëfilltë ashtu edhe në atë figurativ, ndërsa ambiciet e tij përplasen me realitetin e reputacionit të tij të dobët.
