BE vëzhgon Kodin e Procedurës Penale në Shqipëri

Komisioni Europian Reagon: Po Vëzhgojmë Amendimet e Kodit të Procedurës Penale

Komisioni Europian, në një deklaratë për Top News, ka komentuar propozimin e qeverisë shqiptare për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale. Ky amendament synon t’u heqë gjykatave të drejtën për të marrë vendime pezullimi ndaj kryeministrit, ministrave, Presidentit, Avokatit të Popullit dhe kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).

Sipas Komisionit Europian, çdo nismë ligjore që ka të bëjë me sistemin gjyqësor duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe legjislacionin e Bashkimit Europian (acquis-in), duke respektuar pavarësinë, llogaridhënien dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.

“BE po e ndjek nga afër amendamentin e Kodit të Procedurës Penale të paraqitur më 16 shkurt. BE monitoron dhe vlerëson çdo nismë legjislative që lidhet me gjyqësorin në të gjitha vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë. Këto nisma pritet të jenë në përputhje me acquis të BE-së dhe me standardet europiane. Kjo përfshin gjithashtu zbatimin e reformës në drejtësi të vitit 2016 në kuadër të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Sundimi i ligjit dhe pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor në Shqipëri janë elemente themelore të procesit të zgjerimit të BE-së.

Retorika që mbjell mosbesim publik ndaj gjyqësorit dhe ndaj pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë është joproduktive. Siç është theksuar edhe më parë, është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë që të trajtojë pa vënë vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në reagimin e Komisionit Europian për Top News.

Kryeministri Edi Rama zyrtarizoi të hënën një nismë ligjore për forcimin e imunitetit të kabinetit të tij qeveritar dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë. Kjo nismë vjen si kundërpërgjigje ndaj masës së pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të drejtuar nga kryeministri Rama, socialistët njoftuan se do të ndryshojnë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke i hequr gjykatave të drejtën për të marrë vendime pezullimi ndaj kryeministrit, ministrave, Presidentit, Avokatit të Popullit dhe kreut të KLSH-së.

Scroll to Top