Legjenda e Benfikës, Luizao, mbron Viniciusin dhe denoncon fyerjet raciste: Më kërcënuan të mos shkel më në stadium
Ish-futbollisti brazilian Luizao, i cili është një nga legjendat e klubit të Benfikës pasi ka veshur fanellën e tyre për më shumë se një dekadë, është bërë objektiv sulmesh nga tifozët portugezë. Kjo situatë ka ardhur pasi ai i doli në mbrojtje Vinicius, pas ngjarjeve të turpshme në Ligën e Kampioneve.
Luizao, përmes një postimi në rrjetet sociale, mori në mbrojtje Viniciusin, duke shprehur bindjen se ky i fundit ishte viktimë e ofendimeve raciste. Ai gjithashtu përmendi se Vinicius kishte pasur incidente me lojtarin e Benfikës, Prestiani. Si përgjigje ndaj qëndrimit të tij, Luizao ka marrë kërcënime nga ish-tifozët e tij.
“Më fyen në rrjete sociale, më quajtën majmun, Judë dhe më thanë që nuk do të shkel më kurrë në stadiumin e Benfikës”, u shpreh ish-futbollisti 45-vjeçar, i cili aktualisht punon si komentator për “ESPN Brazil”.
“Fanella e Benfikës është lëkura ime e dytë! Më trishton kjo situatë, sidomos kur pozicionohemi kundër një çështjeje shumë serioze siç është racizmi. Por, mendoj se Vinicius është një hero dhe një model që duhet ndjekur në mbrojtjen e luftës kundër paragjykimeve dhe racizmit.”
“Të dhemb shumë, të vjen keq pasi nuk mund të bësh asgjë, nuk mund të veprosh. Shpresoj që Europa, e cila është gjithmonë një pikë referimi, të jetë gjithashtu e bashkuar kundër racizmit”, përfundoi braziliani.
