Bardhi kërkon urgjent heqjen e imunitetit të Ballukut

Bardhi: Futni me urgjencë në Rendin e Ditës heqjen e imunitetit të Ballukut

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në nisje të seancës plenare në Kuvend ka deklaruar se në Rendin e Ditës së Kuvendit duhet të ketë vetëm një çështje: shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, gjë që do t’i hapte rrugë arrestimit të saj.

Ai u shpreh se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më asnjë pengesë që diçka e tillë të ndodhë, ndërsa akuzoi mazhorancën se po pengon hetimet lidhur me korrupsionin.

“Kuvendi i Shqipërisë në agjendën e tij duhet të ketë vetëm një pikë, që e keni mbajtur zvarrë për 2 muaj, duke e kthyer këtë institucion në shkelje të ligjit. Duhet të mbahet seanca për heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun. E shtyet mbledhjen pasi të fliste Kushtetuesja. Na thatë që do presim vendimin e Kushtetueses. Për 2 muaj i mbushët kokën shqiptarëve se një zv/kryeministre nuk mund të pezullohet nga prokuroria. Pas vendimit të GJK, thatë do presim. Për 2 muaj jeni bërë pengesë për heqjen e imunitetit. Ky Kuvend ka dështuar për 2 muaj që të përmbushë misionin për këtë çështje. Jeni i vetmi vend në botë që miratoni një ligj për të mbrojtur veten. Duhet të mblidhet me urgjencë heqja e imunitetit të Ballukut, t’i hapni rrugë SPAK-ut dhe çdo i akuzuar të jetë i barabartë para ligjit. Ishit ju ata që thonit se drejtësia e re do të duhet të bëjë punën e saj. Ditën që ju trokiti në derë, në paradhomën e Ramës, pastaj në oborrin e shtëpisë së tij me çështjen e AKSHI-t, keni marrë sulm të paprecedentë, me veprime aktive për të penguar prokurorinë. Ose ky Kuvend do ta luftojë korrupsionin, ose do ta shndërroni atë në bunker të korrupsionit. Mos provokoni opozitën, lejoni që Kuvendi të shqyrtojë në kohë misionin e vet, për t’i hapur rrugë hetimit për akuzat që përfshijnë ¼ e buxhetit të shtetit”, tha Bardhi.

Scroll to Top