Donald Trump çel inaugurimin e Bordit të Paqes: Nisma më prestigjioze ndonjëherë, liderë të tjerë do të na bashkohen
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbajtur fjalimin hapës në ceremoninë e inaugurimit të Bordit të Paqes, duke e cilësuar këtë iniciativë si një nga projektet më të rëndësishme në të cilat ka marrë pjesë ndonjëherë.
Në fillim të fjalës së tij, Trump theksoi se misioni i bordit është i qartë: “Faleminderit që jeni këtu. Ajo që po bëjmë është e thjeshtë: paqe. Quhet Bordi i Paqes – një fjalë e lehtë për t’u thënë, por e vështirë për t’u prodhuar, paqen.”
Ai deklaroi se gjatë këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar tetë luftëra dhe janë pranë përfundimit të një të nëntë, duke nënvizuar se konfliktet mbeten të paparashikueshme. “Me luftën nuk i dihet kurrë se çfarë është e lehtë dhe çfarë jo,” u shpreh ai.
Trump shtoi se është bërë mik me shumë prej liderëve të pranishëm, të cilët i cilësoi si ndër më të mëdhenjtë në botë, duke theksuar se SHBA ndodhen në një pikë historike që, sipas tij, nuk është parë më parë.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e United States Institute of Peace, ku presidenti e quajti Bordin e Paqes si nismën “më prestigjioze ndonjëherë” në aspektin e fuqisë dhe ndikimit ndërkombëtar.
Duke iu referuar situatës në Gaza, Trump e cilësoi atë si shumë komplekse dhe falënderoi bashkëpunëtorët e tij, përfshirë Steve Witkoff, Jared Kushner dhe Marco Rubio, për kontributin e tyre.
“Në termat e fuqisë dhe prestigjit nuk ka pasur kurrë diçka më të mirë. Këta janë liderët më të mëdhenjtë në botë,” deklaroi ai, duke shtuar se edhe ata që fillimisht nuk kanë pranuar të jenë pjesë e bordit, sipas tij, do t’i bashkohen nismës.
Presidenti amerikan përfundoi duke theksuar se bordi do të përfshijë figura me ndikim global, ndërsa shtoi se disa individë nuk janë përfshirë për shkak të problemeve që, sipas tij, mund të sillnin.
