Pas shembjes së rrugës në Librazhd, dogana e Bllatës po përballet me një kolaps trafiku.
Dogana e Bllatës, e cila ndodhet në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, po përjeton një trafik jashtëzakonisht të dendur. Sipas një burimi për Lapsi.al, pritjet në doganë ditën e sotme kanë zgjatur me orë të tëra.
Kjo situatë ka ardhur si pasojë e devijimit të qarkullimit pas shembjes së rrugës në Librazhd. Tani, i gjithë fluksi i automjeteve dhe kamionëve është orientuar drejt kësaj pike kufitare, duke krijuar radhë të gjata kilometrike.
Gjatë ditëve të fundit, kolonat e kamionëve që vijnë nga vende të tilla si Greqia, Bullgaria, Turqia dhe Maqedonia e Veriut, kanë arritur të kalojnë 4 kilometra gjatësi.
Shkaqet kryesore të kësaj situate janë kapacitetet e kufizuara përpunuese në të dyja anët e kufirit, si dhe infrastruktura rrugore e ngushtë.
©Lapsi.al
