Zbulohet lojtari i vetëm i pakënaqur në kampin e Bajern Mynihut
Pak ditë para sfidës së madhe kundër Borusia Dortmund, e cila do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje në orën 18:30, gjithçka po shkon në mënyrë të përsosur për Bajern Mynihun. Skuadra bavareze vazhdon të jetë në garë për të fituar të tre kompeticionet.
Megjithatë, sipas raportimeve të “Sport Bild”, ka vetëm një lojtar në radhët e liderëve të Bundesligës që po shfaq shenja pakënaqësie. Bëhet fjalë për lojtarin e huazuar, Nikolas Xhekson, i cili aktualisht është i vetmi në skuadrën e trajnerit Vinsent Kompani që është “qartësisht i pakënaqur” me rolin e tij.
24-vjeçari po luan gjithnjë e më pak në javët e fundit dhe has vështirësi të konkurrojë në sulm me emra si Herri Kejn, Majkëll Olise dhe Luis Diaz. Xhekson ka qenë titullar vetëm në pesë ndeshje mes Bundesligës dhe Ligës së Kampionëve, një shifër shumë e ulët për ambiciet e lojtarit të huazuar nga Çelsi.
Ndryshe nga ai, lojtarë të tjerë me më pak minuta, si Minzhae Kim apo Tom Bishof, duket se e kanë pranuar situatën dhe po presin “në heshtje” mundësinë e radhës për të treguar veten.
Në rastin e Xheksonit, frustrimi është i dukshëm. Mundësia që senegalezi të qëndrojë në Mynih edhe pas përfundimit të sezonit, duke bërë që klubi të aktivizojë opsionin e blerjes prej rreth 65 milionë eurosh, aktualisht duket pothuajse e pamundur.
Kohët e fundit, janë përfolur edhe spekulime se Xhekson mund të largohet nga Bajerni drejt Arabisë Saudite pas përfundimit të marrëveshjes së huazimit. Sulmuesi ka regjistruar 22 paraqitje me fanellën e Bajernit, duke shënuar pesë gola. Megjithatë, goli i tij i fundit në Bundesligë daton tre muaj më parë, më 29 nëntor 2025, kur shënoi në fitoren 3-1 kundër St. Paulit.
